Aktualitet29 Qershor 2022, 22:13

Protesta e 7 korrikut e Berishës dhe ‘tigri pa dhëmbë’ i politikës shqiptare

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e 7 korrikut e Berishës dhe ‘tigri pa

Protesta e 7 korrikut e Berishës dhe ‘tigri pa dhëmbë’ i politikës shqiptare

Një gjë është e sigurt, Berisha sado të kërcënojë, nuk “kafshon” dot më. Maksimumi do të “gëlltisë” të gjithë ata që ka qarkulluar përmes “stomakut” të tij politik për 30 vite me radhë. Pra “mbetjet” politike, që po i riciklon. Por kanë mbetur shumë pak nga ky soj politik.

Shkruan Jakin Marena

Sali Berisha ne perëndim të jetës së tij biologjike, pasi ajo politike mendohej se kishte perënduar që më 2013, kur pas humbjes përballë Edi Ramës dha dorëheqjen nga drejtimi i PD, ka vendosur një “bast” të madh politik.

Më shumë se sa me shqiptarët, Berisha këtë “bast” e ka vendosur me veten dhe me kundërshtarët e tij brenda PD, parti të cilën e mori nën zotërim pas dëbimit të Lulzim Bashës, plot 9 vite pasi formalisht ishte larguar nga drejtues i demokratëve.

I trimëruar ndoshta për marrjen në “pronësi” të asaj që kishte, pra të shumicës në PD, Berisha teksa shprehet se do rrëzojë Ramën dhe do vijë në pushtet, ka vendosur që të organizojë një protestë anti-qeveri me 7 korrik, nën okelion “Shqipëria në rrezik”, duke ftuar të gjithë ata që janë kundër Ramës që të ngrihen nën organizimin e “Frontit për Shpëtimit Kombëtar”.

Nuk dimë nëse ka qenë i rastësishëm slogani i përzgjedhur nga Berisha, që ngjan shumë me atë të vitit 1997, pra sloganit të qytetarëve shqiptarë që humbën po për shkak të presidentit të asaj kohe mbi 1.2 miliardë dollarë kursime dhe pasuri në firmat mashtruese piramidale dhe për t’i bërë ballë reprezaljeve të regjimit të atëhershëm krijuan “Komitetet e Shpëtimit kombëtar”.

Por teksa shohim gjuhën e përdorur nga mbështetësit e Berishës në takimet e organizuar prej tij për të mbledhur protestues për 7 korrikun, ku dëgjoheshin thirrje të tilla të harruara me kohë dhe vakt si “japim jetën për lirinë”, “do të mbrojmë demokracinë me gjak” e deri tek “Doktor, do ta djegim më 7 korrik, pasi më mirë të vdesim nga plumbi se sa nga gazi lotsjellës”, mund të themi Berisha po tenton të shkojë pikërisht drejt kësaj përplasjeje të opozitës me qeverinë. Përplasje sipas skenarit të tij, deri fizike, të dhunshme dhe pse jo dhe me ndonjë “vegël” tjetër brenda saj. Ata që i artikuluan këto thirrje nuk ishin njerëz të thjeshtë, por ish zyrtarë, avokatë dhe deri aktorë humori dhe teatri. Humori do të thotë ndokush, por ama ishin aktorë.

Megjithëse përçasja e lëvizjes së tanishme të Berishës për “Frontin e Shpëtimit Kombëtar” me atë të marsit 1997 të turmave të revoltuara e viktima të shembjes së firmave piramidale që reagonin ndaj shtetit, grabitësit të kursimeve të tyre “Komitetet e Shpëtimit Kombëtar” stonon rëndshëm.

E themi këtë sepse në themel të reagimit të atëhershëm ishte revolta për humbjen e parave, pasi qeveria e Berishës përmes firmave mashtruese piramidale u kishte “futur dorën në xhep” gati të gjithë qytetarëve shqiptarë duke u marrë kursimet, shtëpitë, dyqanet dhe gjithçka kishin në atë marrëzi kolektive të sponsorizuar nga pushteti i demokratëve në qeverisjen e parë të PD.

Ndërsa në “rebelimin” e tanishëm të Sali Berishës dhe të mbështetësve më të afërt të tij, në të ashtuquajturin “Front të Shpëtimit Kombëtar”, në themel është interesi dhe halli personal i vetë Berishës. I cili është shpallur familjarisht “non grata” nga SHBA për korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe presion mbi drejtësinë, por dhe BE e të djathtët e PPE e kanë izoluar tërësisht.

Dhe halli personal i Berishës është vështirë që të kthehet në një kauzë qytetare që do të çonte në rrëzimin e qeverisë, sado keq të ketë punuar në tërë këto vite në pushtet. Ndonëse ka pasur shumë rezultate qeverisja e socialistëve.

Përpos do të kënaqë oreksin e militantëve të ethshëm të Doktorit, të cilët do të shfryjnë ‘dufin’ e qëndrimit 3 mandate në opozitë, në protestimin para kryeministrisë, ndoshta dhe në thyerjen e ndonjë xhami në selinë kryeministrore apo në godinat e ministrive që do të ketë rrugës së lëvizjes turma që do mbledhë Berisha, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” nuk arrin gjë tjetër.

Nuk do të ketë asnjë impakt, përkundrazi, do të tkurrë akoma më shumë zonën “gri” për opozitën, e cila është përcaktuese për fitoren në zgjedhje të një partie politike, pasi është një kontigjent votuesish që shkon në kutinë e votimit thjeshtë dhe vetëm për mirëqenie e qetësi.

Njëherësh, Berisha e ka të vështirë të kapë nivelin e protestave të tij në opozitën e parë 1997-2005, pasi shqiptarët nuk janë më ata të para 20 viteve dhe për më tepër Shqipëria nuk është më ajo e para 10 viteve. Ka evoluar, por dhe është zhvilluar dhe nuk gjendet një shqiptar me mendje normale që të bashkohet me Berishën për t’i zhbërë këto arritje, sado të vogla qofshin ato.

Teoria e fillimit nga “zero” ka marrë fund me kohë dhe me vakt, aq më tepër që tashmë agresioni rus në Ukrainë ka shkaktuar krizë globale dhe shqiptarët si gjithë bota janë të detyruar dhe nga kushtet e vështira që të zgjedhin me mendje, më shumë se sa me inat!

Me sa duket Berisha e ka humbur “bastin” me masivitetin e protestës së 7 korrikut, provën “gjenerale” të së cilës e bëri ditën e hënë, teksa thirrjes së tij për të mbështetur protestat e maturantëve për notën në bulevardin kryesor të kryeqytetit nuk iu përgjigj askush.

Një dështim i parashikuar, por dhe i përcjellë nga ana e shoqërisë civile nën deklaratat se “nuk protestojmë për të ngritur kredecialet e rëna të Berishës dhe as për partitë politike, por për mirëqenie e dinjitet”. Çka tregon se përpos mbështetësve të tij nominalë në organizatat e shoqërisë civile, Berisha nuk do të ketë pjesëmarrës të tjerë në protestën e lajmëruar për t’u mbajtur më 7 korrik përballë kryeministrisë.

Me sa duket qytetarët shqiptarë slloganin e Berishës “Shqipëria në rrezik” e kanë lexuar ashtu sikurse është në të vërtetë “Sali Berisha në rrezik”, duke paralajmëruar një bojkot shembullor të protestës së thirrur nga ish kryeministri demokrat.

Ndër arsyet e tjera që mendohet se protesta e thirrur nga Berisha do të dështojë është dhe fakti se opozita është e ndarë në tre pjesë, dhe as përpjekja e kryetares së LSI Monika Kryemadhi për ta mbushur këtë vakuum, nuk mund të shmangë pjesëmarrjen e ulët që parashikohet të prezantohet në këtë protestë.

Pavarësisht se disa deputetë të PD e kanë “dredhur” për arsye mbijetese politike, por dhe parimi sado pa parime që janë, dhe kanë deklaruar pjesëmarrjen në protestën e Berishës, pjesa kryesore e qytetarëve që mbështesin të djathtën e kanë shumë të vështirë të dalin në shesh thjeshtë e vetëm për hallin personal të Berishës. I cili tjetër gjë thotë dhe tjetër bën, sikurse bëri me votën e lirë, të cilën e premtoi nëpër foltore dhe Kuvendin e PD, dhe kur tashmë e ka në zotërim partinë, ai ka shmangur të gjitha figurat që nuk i binden, nga forumet e strukturat drejtuese të kësaj partie. E cila “dendësinë” më të madhe të anëtarësisë në kryesi, Këshill Kombëtar dhe sekretariat e ka në lumin Drin e lart, pavarësisht se mbështetjen e ka pasur më shumë në Jug të vendit, gjatë lëvizjes së tij për dëbimin e Bashës nga kreu i PD.

Linçimi i mbështetësit kryesor dhe njeriut që mund t’i garantonte një urë komunikimi PD-së me Perëndimin, Belind Këlliçi, deri dhe shmangia e dhënies së dorës nga ana e Berishës, e tregon më se miri se lideri aktual i kësaj partie po konturon një PD që ta ketë vetëm për vete. Sado të vogël që e ka katandisur dhe që do ta katandisë akoma më tej.

Teksa përballë ka një parti të tillë me drejtim krahinor, nga e ka origjinën Berisha, të ndarë në tre pjesë, pa kauzë të qenësishme përpos zgjidhjes së hallit të Doktorit në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë por dhe me drejtësinë e re shqiptare, kryeministri Edi Rama jo vetëm që nuk po trembet nga protesta e 7 korrikut, aq më pak të rrëzohet nga Berisha përmes protestave, gjasat kanë qënë zero në këto 25 vitet e fundit, por do ta përdorë dhe si kartë elektorale në zgjedhjet e radhës për pushtetin vendor për t’i fituar ato akoma më thellë. Por dhe për të hapur rrugën për një mandat të katërt qeverisës të PS më 2025.

E thënë me nota më të thjeshta, Rama ka përballë Berishën, një “tigër pa dhëmbë” të politikës shqiptare, i cili jo vetëm që nuk të “kafshon” politikisht, por thjeshtë dhe vetëm është një qenie politike që ha “përshesh me qumësht”. Duke shtrydhur deri në fund “sisët” e fishkura të PD, nga “thithja” e të cilave ka bërë lekë dhe pushtet në këto 30 vjet, por që tani e ka të vështirë të “ngjizë” pushtet për demokratët. Është “shterpë”, nuk “pjell” asnjë kauzë politike fituese.

Duket se dhe lajmi tashmë i kthyer në anektodë për “trigrin pa dhëmbë” të kopshtit zoologjik në Tiranë, nuk është krijuar për të sulmuar kryebashkiakun socialist Erion Veliaj, por është krijuar enkas për të goditur indirekt Sali Berishën, i cili nepsin për pushtet e ka më të madh se sa takatin politik. Kjo do të vërtetohet së shpejti, 7 korriku erdhi. Berishën po aty e kemi, ku ka qenë gjithnjë që nga dhjetori i vitit 1990, në krye të PD. Të shohim, nëse do gjejë mbështetje nga ata që kanë moshën biologjike sa mosha politike e dytë të Berishës, apo dhe asaj bashkë me 25 vitet e anëtarësisë së PPSH para vitit 1990. Të shohim.

Një gjë është e sigurtë, Berisha sado të kërcënojë, nuk “kafshon” dot më. Maksimumi do të “gëlltisë” të gjithë ata që ka qarkulluar përmes “stomakut” të tij politik për 30 vite me radhë. Pra “mbetjet” politike, që po i riciklon. Por kanë mbetur shumë pak nga ky soj politik.

Forum Berisha