Aktualitet25 Qershor 2022, 20:32

Protesta e Berishës kundër PD

Shkruar nga Pamfleti
Protesta e Berishës kundër PD

Duke qenë një akt i dëshpëruar në kushtet që ka një krizë përfaqësimi në Partinë Demokratike, Sali Berisha kërkon ta vendosë me rrugë autoritetin e tij në PD, duke thirrur në anën e vet njerëz të tjerë të dëshpëruar në këtë vend

Shkruan Mero Baze

Nuk është ndonjë ngjarje paralajmërimi i protestave nga Berisha. Është e vetmja gjë që di të bëjë për 30 vjet, sa herë ngelet vetëm. E reja e protestës së 7 korrikut nuk ka të bëjë as me qeverinë, as me varfërinë, dhe aq më tepër me “përmbysjen” e Edi Ramës, pasi ky është një film i parë prej vitesh.

E reja e protestës është se Sali Berisha po përpiqet t’i imponohet Partisë Demokratike, duke tentuar ta gjunjëzojë atë, nën shantazhin, ose të bëhen me të, ose të sulmohen si njerëz të Edi Ramës.

Në kushtet e izolimit brenda PD, në kushtet kur 35 deputetë kanë refuzuar bashkëpunimin me të dhe kur Gjykata ende nuk ka dhënë një vendim përfundimtar për legjitimitetin e tij, Sali Berisha është në krizë përfaqësimi dhe kërkon ta ndajë llogarinë me PD në rrugë. Ose të shkojnë pas tij, ose kundër tij.

Për këtë ka zgjedhur të thërrasë protestë jo kundër qeverisë, por kundër Partisë Demokratike.

Gjithë retorika e thirrjes së protestës bazohet mbi faktin që në rrugë do dalë opozita e vërtetë, që do luftojnë për varfërinë e shqiptarëve dhe kundër vasalit të Vuçiqit, Edi Rama, që është një ftesë për t’u lexuar se, nëse Partia Demokratike nuk i shkon pas Sali Berishës, atëherë ata janë kundër shqiptarëve të varfër dhe pro Vuçiqit.

Duke qenë një akt i dëshpëruar në kushtet që ka një krizë përfaqësimi në Partinë Demokratike, Sali Berisha kërkon ta vendosë me rrugë autoritetin e tij në PD, duke thirrur në anën e vet njerëz të tjerë të dëshpëruar në këtë vend, që duhet t’i paraqesë si “dëshmitarë” kundër Partisë Demokratike dhe drejtuesve të saj zyrtarë.

Është pak a shumë si ajo që bëri më 8 dhjetor në stadium, kur deklaroi se kishte me vete PD dhe nga entuziazmi bëri thirrje për protesta madhështore në shesh, ku çuditërisht nga 5 mijë vetë që deklaroi se kishte në stadium kundër Bashës, në rrugë nuk i dolën as 1 mijë vet kundër Vuçiqit dhe Ramës. I delegjitimuan dhe protestën kundër Bashës në stadium.

Tani do ta përsërisë, me shpresë se PD do gjunjëzohet para tij, meqë deputetët dhe Gjykata nuk po gjunjëzohen ende.

Forum Baze Berisha Protestë