
Kryetari i Grupit Parlamentar i PD, Enkelejd Alibeaj është pyetur nga gazetarët ditën e sotme, nëse do t’i bashkohet protestës së lajmëruar nga Sali Berisha më 11 shkurt.
Alibeaj u shpreh se ka marrë pjesë gjithmonë aje ku është kërkuar goditje e kryeministrit, ndërsa tha se këtë përgjigje e ka dhënë edhe më parë.
“Unë protestoj gjithmonë, bazuar në ligj, mbi fakte dhe e kam bërë këtë gjithmonë, në mënyrën më serioze. Do jem gjithmonë atje ku kërkohet goditja e drejtpërdrejtë e kryeministrit. Do ta shohim këtë punë, e kam dhënë përgjigjen, sot jemi për një çështje të rëndësishme”, u shpreh ai.
Berisha ka njoftuar protestë me 11 Shkurt në orën 12 të paradites.
“Me datën 11 Shkurt, Shqipëria marshon drejt Tiranës, Tirana vërshon në rrugët e saj”., tha Berisha.
Berisha paralajmëroi se nuk do të ketë paqe dhe stabilitet pa u zbardhur përfshirja e Kryeministrit Rama ne çështjen McGonigal.
“Edi Rama duhet të largohet menjëherë nga pushteti. Nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet me një njeri që jo vetëm shkelmon çdo ditë mbi liritë dhe dinjitetin e shqiptarëve”.
Sipas Berishës, Rama e Mc Gonigal vendosën të shuajnë pluralizmin ne Shqipëri.