Bota19 Shkurt 2022, 07:29

Protestat, Abazoviç heq dorë nga qeveria e pakicës dhe kërkon qeveri teknike për të organizuar zgjedhjet e reja

Shkruar nga Pamfleti
Protestat, Abazoviç heq dorë nga qeveria e pakicës dhe

Zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, emri më i lakuar për kryeministër i qeverisë së re të Malit të Zi, është deklaruar në lidhje me krijimin e një qeverie të retë pakicës apo për shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja parlamentare me qëllim krijimin e një ekzekutivi të ri.

Ai u shpreh se perceptimi i tij ishte se partitë ishin drejtë një dakordimi, duke theksuar se nuk ishte e lehtë të formohej një qeveri. Duke komentuar negociatat për formimin e qeverisë së re, Abazoviç tha se nuk duhet të kemi një qeveri të pakicës, por mund të kemi një qeveri teknike ose një qeveri që do të jetë në pushtet vetëm për të udhëhequr vendin deri në përgatitjen dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

“Nëse nuk ka një marrëveshje të tillë, mund të ketë një marrëveshje tjetër. Nuk duhet të kemi pakicë, mund të kemi një qeveri teknike ose një qeveri që do të përgatitet vetëm për zgjedhjet. Do të ishte e dëshirueshme që konsensusi të ishte sa më i gjerë”, tha kreu i URA-s. Abazoviç ka folur gjithashtu edhe për protestat e Frontit Demokratik, protesta të cilat kanë kërcënuar bllokimin e vendit nëse pjesë e qeverisë së pakicës do të jetë edhe partia e presidentit Milo Gjukanoviç, DPS.

“Fakti që kemi protesta në rrugë është një gjë e mirë. Kjo tregon që demokracia jonë po rritet. Protestat janë paqësore, në fillim ka pasur retorikë nacionaliste, por më pas ka qenë një përzierje, nuk dihej se kush i organizonte protestat, e tani organizohen nga një opsion politik. E keqja është që nuk kemi qeveri, shpresoj se do ta kemi së shpejti”, tha Abazoviç. Gjithsesi ai shtoi se ndryshe nga sa pretendon Fronti Demokratik, protestat nuk janë aq masive dhe përpiqen të hiperbolizohen në pjesëmarrje.

“Por edhe nëse janë masive tregon se demokracia në vendin tonë është funksionale. Ashtu si njerëzit mund të veprojnë institucionalisht, ata mund të veprojnë edhe jashtë institucionalisht”, tha ai. Për sa i përket negociatave në lidhje me krijimin e qeverisë së re, Abazoviç u shpreh se është një proces jo i lehë krijimi i një qeverie të re as në shtetet me demokraci të konsoliduara e jo më në Malin e Zi.

“Nuk është një proces i lehtë askund në botë, aq më tepër në shoqëritë që kanë një kulturë shumë modeste politike dhe tranzicion demokratik. Nuk ka ndodhur asgjë spektakolare në periudhën e kaluar. Po mundohemi të gjejmë zgjidhje, të cilat deri më tani janë iniciuar vetëm nga Lëvizja Qytetare URA”, tha Abazoviç. Ai u bëri thirrje kolegëve të tjerë që të ofrojnë zgjidhje dhe të gjejnë një lloj kompromisi që do ta lejonte vendin të ecë përpara, ose përndryshe nuk përjashtoi mundësinë e zgjedhjeve.

“Nëse nuk arrijmë të sigurojmë shumicën, nuk shoh problem që t’u kthehet mandati qytetarëve dhe ata të vendosin në zgjedhje se kush do t’i përfaqësojë. Më e mira do të ishte që gjithë ky proces të mos zgjatej dhe nëse nuk biem dakord, do të ishte mirë të deklarojmë shpejt se nuk mundemi”, theksoi Abazoviç. Gjithsesi ai sqaroi se krahasuar me dy javë më parë, është arritur tashmë shumë pranë kufirit nëse një dakordim mbi qeverinë do të bëhet realitet apo jo.

“Besoj se edhe nëse nuk arrihet një konsensus për 49 deputetë për zgjedhjen e qeverisë së re, besoj se kjo mazhorancë do të ekzistojë kur të votohen çështje të rëndësishme. Ne po përpiqemi të gjejmë zgjidhje, gjithçka që çon në një stabilitet më të madh, për URA-në është e pranueshme”, tha Abazovic.

Demokratët

Deputeti demokrat Momo Koprivica ka kritikuar edhe një herë mënyrën e shkarkimit të kryeparlamentari Aleksa Beçiç dhe qeverinë e pakicës. Ai hodhi idenë se pretendimet për të mos e quajtur më një qeveri të pakicës por një qeveri teknike, janë të qëllimshme.

“Është një qeveri e pabesë, mashtruese dhe satelitore. Ndoshta po mundohen të ikin nga ai emër i një pakice dhe ta quajnë qeveri teknike”, ka theksuar Koprivica. Ai tha gjithashtu se ishte e qartë se Abazoviç po ofronte një qeveri të pakicës pas bisedimeve me DPS-në, ndërsa tani po ofron një qeveri teknike pas bisedimeve me SD.

“Ai që do një qeveri teknike që automatikisht i përjashton politikanët prej saj dhe që i shërben përgatitjes së zgjedhjeve. Nëse qeveria teknike do të udhëhiqej nga një person i një partie politike, do të ishte qeveria për përgatitjen e rezultatit zgjedhor të asaj partie, dhe jo përgatitja e qytetarëve dhe shoqërisë në tërësi për zgjedhje”, tha Koprivica.

Ai hodhi poshtë gjithash fjalët se demokratët kanë kryer negociata në Podgoricë më Lëvizjen URA.

“Kjo është e pavërtetë tentativë për të hutuar opinionin dhe për t’i hedhur pluhur në sy për të anestezuar protestat. Nuk po flasim me askënd që nuk jep garanci se nuk do të flasë me DPS-në”, përfundoi ai./Gazeta Sot

Rajoni Abazoviç Protestat