
Nuk ka më asnjë dyshim se PS nuk e mbështet drejtuesin e SPAK-ut, Arben Kraja. Ermonela Felaj, një juriste me profesion dhe ish- prokurore, lë të kuptohet se drejtuesi aktual i SPAK ka zgjedhur të jetë oportunist” në vend që të bëjë drejtësi.
Për emisionin “Pa Censurë”, nënkryetarja e Parlamentit thotë qartë se partia në pushtet nuk e mbështet kërkesën e SPAK për t’u dhënë prokurorëve dhe drejtuesit të drejtën e rikandidmit.
Pjesë nga intervista
Ermonela Felaj: Kufizimi i SPAK-ut është vendosur në Kushtetutë dhe ne i kemi dhënë përgjigje. Kushtetuta nuk është një dokument qe ndryshohet kaq shpesh. Kështu që ne nuk kemi qenë dakord.
Elona Meço: Ju e keni ndryshuar Kushtetutën pak kohë më parë për anëtarët e Komisionit të Vetingut
Ermonela Felaj: Po, zgjatëm afatin në detyrë të Komisonit të Vettingut dhe ONM-së. E bëmë sepse pas tërmetit dhe pandemisë këto komisione kanë qenë të penguara të ushtrojnë punën e tyre, kështu që pati konsensus për të zgjatur afatin e tyre dhe për të siguruar që reforma të shkonte deri në fund.
Elona Meço: Pra nuk duket se jeni dakort?
Ermonela Felaj: Nuk jemi dakord. Personalisht, mendoj se të gjithëve duhet t’u jepet shansi të punojnë në një prokurori karriere, siç është SPAK.
Elona Meço: A ka PS pakënaqësi nga SPAK? Kemi dëgjuar zotin Rama me shumë diskonsoderata kohët e fundit.
Ermonela Felaj: Prokuroria, gjykatat janë institucione që janë në qendër të kritikës publike. Do të kisha dashur që edhe SPAK t’u përgjigjej kritikave publike, të mbajë qendrim ndaj tyre edhe kur ato vijnë nga partitë politike. Ne kemi konsideratat tona, por ky nuk është sulm ndaj institucioneve. Çështja e dhënies së drejtësisë nuk është çështje e dhënies prioritet, i jap prioritet kësaj gjëje dhe nuk i jap kësaj gjëje. Është çështje e të dhënit prioritet e gjithçkaje që është detyrë e jotja t’i shkosh deri në fund, të zbardhësh dhe të vësh para drejtësië çdo shkelje.
Elona Meço: Ju keni kërkuar që SPAK të çojë para drejtësisë Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Ermonela Felaj: Kjo nuk është gjë e re. Kërkesa për të vënë para drejtësisë Berishën dhe Metën apo të tjerë ish funksionarë politikë që mund të jenë deputetë apo kryetarë partish vjen nga fakti se këta njerëz, mëse një herë, e kanë shkelur ligjin dhe nuk mundet që këta t’i mbivendosen ligjit.
Elona Meço: Pra, ju kërkoni një drejtues SPAK-u që të nisë hetimet ndaj Berishës dhe Metës.
Ermonela Felaj: Ne kërkojmë prokurorë dhe gjyqtarë të cilët, pikërisht se ligji i ka vendosur në pozicion për të vepruar me integritet dhe profesionalizëm, të mund ta bëjnë këtë gjë dhe ta reflektojnë në punën e tyre. Nuk kërkojmë gjyqtarë dhe prokurorë oportunistë.
Elona Meço: Siç janë deri tani?
Ermonela Felaj: Dikush ka zgjedhur të bëjë oportunistin. Ne nuk kemi heshtur. Kemi kërkuar qe të veprohet.