Partia Socialiste ka nisur punën për zgjedhjet e pjesshme vendore.
Kryesocialisti Edi Rama i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri, drejtuesit politikë dhe deputetët e qarqeve ku do të mbahen zgjedhjet, ka zhvilluar dje takimin e parë në Fier, ku u diskutua mbi kandidaturat për bashkinë e Lushnjës, ndërsa është propozuar Eriselda Sefa, aktualisht kryetare e komanduar në këtë bashki.
Gazeta ka mësuar se takimet do të vijojnë në çdo qark, ndërkohë që burime nga selia rozë pohuan se ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka është zgjedhur nga kryeministri Edi Rama si e deleguara e socialistëve për të menaxhuar zgjedhjet vendore të 6 marsit në Bashkinë e Shkodrës. Mësohet se Xhaçka ka qenë në Shkodër gjatë fundjavës, ku ka zhvilluar takimet e para me forumet e kësaj force politike si dhe drejtuesit e institucioneve në Shkodër.
Më herët gjatë paradites së djeshme, kryeministri Rama ka dhënë udhëzime edhe në mbledhjen e grupit parlamentar të PS. Porositë e Edi Ramës për zgjedhjet e 6 marsit, në bashkitë pa kryetar kanë qenë të qarta, teksa gjatë fjalës që mbajti dhe që u transmetua në media, zoti Rama theksoi se në fushatë do të jenë vetëm drejtuesit vendorë, deputetë, drejtues politikë dhe nuk do ketë mitingje.
“Ndërkohë që sa më pak politikë në këto zgjedhje, aq më mirë, pasi politikisht panorama e këtyre zgjedhjeve është e qartë. Nga njëra anë ne me ofertën tonë të punës për komunitetin, nga ana tjetër kundërshtarët tanë politikë, në 6 sheshe, për 12 ose 18 përsheshe, varet si do rreshtohen. Po 12 minimumi, 18 e mundshme, edhe më shumë mbase. Nga njëra anë ne, 6 kandidatë, të cilët do të ofrojnë një mundësi zgjedhjeje të bazuar tek puna konkrete, nga ana tjetër ata me 12, 18 ose më shumë që do të luftojnë për mbijetesën politike të 2-3 udhëheqësve partiakë këtu në Tiranë dhe që s’kanë asnjë lidhje me këto zgjedhje në vetvete”, deklaroi Rama në mbledhjen e grupit të PS.
Kujtojmë që sot që flasim janë mësuar edhe emrat e disa prej kandidatëve të PS në qarqe ku do mbahen zgjedhjet, ku në Durrës socialistët do kandidojnë Emirjana Sakon, e cila kryen prej dy vitesh funksionin e kryetares, si e komanduar./SOT