PS dhe PD kanë bërë 19 ndryshime në ligjin për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit. Nga këto ndryshimeve, 3 nene prekin drejtpërdrejt Ilir Metën.
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë ndryshuar rrënjësisht ligjin për dosjet e Sigurimit të Shtetit. Në mbrëmjen e 20 tetorit, mazhoranca pranoi një sërë propozimesh të grupit të Alibeajt, duke sjellë hapjen totale të dosjeve të Sigurimit.
Amendamentet u futën në minutat e fundit dhe vetëm tani ka dalë versioni final i ligjit. Pas dekretimit të tij, drafti është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe janë bërë plot 19 ndryshime. PS fillimisht kishte propozuar ndryshim në vetëm një nen, por më pas PS dhe PD kanë bërë ndryshime rrënjësore. Por cilat do të jenë hapat për zbulimin e spiunëve në politikë dhe në administratën publike? Deri më tani flitet se bashkëpunëtor ka qenë ish-presidenti Ilir Meta, ndërkohë që sipas Autoritetit të Dosjeve, janë dhe 5 emra të tjerë që kanë mbajtur më herët poste publike.
Në fakt janë dy nene bazë, të cilat do të përdoren për të hapur dosjen e Metës dhe për të zbuluar spiunët në politikë. Së pari, PS dhe PD kanë shfuqizuar pikën 4 të nenit 29.
“Autoriteti nuk administron kërkesat për informacion për zyrtarët që propozohen të emërohen ose ngrihen në detyrë në institucionet kushtetuese dhe autoritetet publike, kur Autoriteti administron apo i janë vënë në dispozicion dokumenti autentik origjinal i certifikatës së pastërtisë së figurës, shoqëruar me vendimin përkatës nga institucionet përgjegjëse, sipas ligjit nr. 8001, datë 22.9.1995, “Për gjenocidin dhe krimet kundër njerëzimit kryer në Shqipëri gjatë sundimit komunist për motive politike, ideologjike dhe fetare”, si dhe ligjit nr. 8043, datë 30.11.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, i ndryshuar”, thuhej në këtë pikë.
Pra ky përcaktim bllokonte zbulimin e dosjes për Ilir Metën, pasi ai ka qenë subjekt i komisioneve “Bezhani” e “Mezni”. Tani kjo pikë është shfuqizuar dhe nuk ka asnjë pengesë.
Ndërkohë në lojë do të futet dhe neni 20. PS e PD me ndryshimet në këtë nen i japin të drejtën çdo qytetari që të njihet me dosjet e Sigurimit.
“Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për të drejtën e informimit, me kusht që kërkuesi të paraqesë të dhëna në kërkesën e tij që mundësojnë lokalizimin e informacioneve. Informacioni jepet vetëm kur angazhimi i nevojshëm për gjetjen dhe vënien në dispozicion të informacionit është në përpjesëtim të drejtë me interesin e argumentuar të kërkuesit në marrjen e këtij informacioni. Kërkuesi mban përgjegjësi për keqpërdorimin e informacionit të marrë”, thuhet në nenin 20.
Një tjetër ndryshim që godet drejtpërdrejt ish-presidentin është bërë në nenin 30. Aktualisht ligji ndalon emërimin në poste publike të personave që kanë mbajtur funksione të larta gjatë sistemit komunist, por edhe ata që kanë qenë “bashkëpunëtorë aktivë” të Sigurimit.
Por me ndryshmet e fundit fjala “aktivë” është hequr dhe versioni final është: “Bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, denoncues në proceset politike ose dëshmitar i akuzës në proceset politike të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç”.
Ky nen prek Metën, pasi deri më tani ka fakte që Meta ka bashkëpunuar vetëm një herë me Sigurimin dhe versioni i vjetër i ligjit e amnistonte deri diku.
Ligji hy në fuqi në fillim të dhjetorit dhe më pas AIDSSH pritet të nisë punën për hapjen e dosjeve. Për Metën dhe politikanët e tjerë pritet që dosjet të publikohen online. /Pamfleti