
Konferenca e Kryetarëve ka shtyrë shqyrtimin e kërkesës së opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor mbi skandalin “McGonigal”
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla tha se Kuvendi ka nisur punë për të ndryshuar ligjin për komisionet hetimore dhe derisa të ndryshohet ky ligj, nuk do ketë komisione hetimore.
“Kemi diskutuar në konferencën e kryetarëve, që për pasojë të kërkesave të ardhura nga deputetë e opozitës parlamentare për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore, nevojën e implementimit të 6 vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për këtë ccështje kemi vendosur dhe më pas votuar në seancë me 23 janar një komision të posaçëm parlamentar për ndryshimin e ligjit. Ndaj po them se kërkesa nuk është marrë fare në shqyrtim por në respekt të kërkuesve kemi kërkuar që ky shqyrtimi i kërkesës të bëhet pasi të bëhen ndryshimet ligjore”, tha Balla.
Por ai e kishte edhe një apel për ata që kanë firmosur këtë kërkesë. Sipas tij ka firma të falsifikuara dhe ato duhet të tërhiqen menjëherë.
“Që të guxojnë deputetë që nga SHBA-të ku ndodhen për qejf apo për vizitë të firmosin kërkesa që depozitohen në Kuvend, që të ketë deputetë që në një shkresë të kenë një firmë dhe nënshkrim dhe në një shkresë tjetër nënshkrim dhe firmë tjetër, që Kuvendi të mos investohet në një kallëzim për falsifikim ta tërheqin kërkesën ose të paktën firmat. Ata kanë edhe një vrap se kush e depoziton i pari. S’ka pasur ndonjëherë situatë më qesharake që dy grupe të opozitës turren me vrap kush do ta dorëzojë i pari kërkesën”, tha Balla.