Editorial28 Nëntor 2022, 09:57

Pse “çelësi” i Yuri Kim nuk e hap dot “bravën” e krimit dhe korrupsionit?!  

Shkruar nga Pamfleti
Pse “çelësi” i Yuri Kim nuk e hap dot

Pse “çelësi” i Yuri Kim nuk e hap dot “bravën” e krimit dhe korrupsionit?!  

Të gjithë po “fërkojnë” sytë, ç’po ndodh more, se këtej gjithmonë dy Klane Mafioze janë në pushtet e dy në opozitë. Edhe nëse ndërrojnë porta, çfarë ndryshon?!

Shkruan Sokol Pepushaj

Kur derën nuk e hapë “çelësi” i vet, ose ka “ndryshk” ose dikush ka ndërruar bravën.

Edhe liderët e Evropës do fluturojnë pas ca ditësh këtej, për të çelur ca dyer të mbyllura.

As ata s’bëjnë gjë, se këtej gjithë hajdutët janë bashkë e kanë ngatërruar “çelësa” e “brava”, që ec e merri vesh kodet e tyre.

Evropianët, jo vetëm dyert që  nuk i “çelin” dot, por as rrugët ku do kalojnë nuk i kanë të lira. Është Sali Berisha me “ushtarët” e vet, që për fat të mirë edhe të qeverisjes hajdute, demonstron forcë anti-perëndimore nën “hundët” e tyre.

Hajdutët e Tiranës janë specialistë.

Ose kanë “magjinë” të dështojnë çdo nismë perëndimore, ose u kanë gjetur “vaksinën” dhe i kanë bërë si veten.

Se ne që i kemi në vëmendje nuk mund të mos i “fokusojmë” origjinal. Ja, edhe pas vendimit të ambasadës amerikane për shmangie takimesh me Taulant Ballën, dera e komunikimit me shqiptarët nuk u çel se nuk u çel…

Mediat e pavarura po botojnë foto të takimeve të ambasadores me Taulantin, pas ngjarjes tragjike të vrasjes së avokatit Ravik Gurra.

 Po Taulanti u akuzua më vonë, thua ti.

Është e kundërta. Akuzat dolën tërë “baltë” nga “tharku” i derrave, pasi u zhdukën provat dhe nëse media nuk do u hiqte “telat në hundë”, andej do pllaquriteshin edhe sot, e nuk do “gërmonin” më thellë. 

Ngjarjet i kemi secilën më interesante se tjetrën.

Ja, kur ambasadorja Yuri Kim solli ‘non- grata’-n e Saliut, desh na bëri surprizë të bukur, por i doli para brava që nuk e hapë as çelësi i vet.

Lajmi u fut në çdo vrimë çelësi dhe u dha alarmi gjithandej. Lulzim Basha i opozitës, Edi Rama i qeverisë dhe Arben Kraja i SPAK-ut, blinduan dyer e dosje.

Çdo derë i lëvizi regjët.

Shumica kishin nevojë për vajisje. Vetë Lulzim Basha, i penduari i mafies politike, akuzoi Sali Berishën se ai ka prishur bravat e dyerve drejt integrimit të Shqipërisë në strukturat euro-atlantike.

Që atë ditë, Lulin e “dënuan” për agjitacion e propagandë…

Ia mbushën “valixhen diplomatike” me para për vete e kunatin, prona e troje, por me një kusht, të ndërronte mbiemrin, nga Basha në Brava.

Ambasadorja nisë të fërkojë sytë si fëmijët para lodrave.

Lajmëroi “Shtëpinë e Bardhë” se këtej janë çmendur të gjithë; “Shtëpia e Lirisë” ka ndryshuar “çelësin” dhe bravën; Edi Rama Taulantin e Elbasanit e ka çuar për përforcime në Fier; Ilir Meta ka prishur bravat e depove dhe po grasaton tanket në Malin me Gropa.

Gabriel Escobar, angazhoi “artilerinë” e rëndë perëndimore për të hapur “çelësat” kinezë të fshatit tonë.

Të gjithë po “fërkojnë” sytë, ç’po ndodh more, se këtej gjithmonë dy Klane Mafioze janë në pushtet e dy në opozitë. Edhe nëse ndërrojnë porta, ç’ndryshon?

Gjithsesi, “raketa”, është graduar lart. Por Babloku i ka të ndezur dhe të ndjeshëm “sensorët” anti-amerikanë. Ka marrë në xhep “çelësat” e Rilindjes dhe është fshehur mes Yjeve në Qiell. Ec e gjeje…

Se nuk e zë “plumbi” lehtë Bablokun, do ta hajë Taulanti, si një e një bëjnë dy.

Tjetër temë është kjo që ju e keni merak dhe pyesni, mirë more se këto janë telashet e fshatit tonë po a ka ndonjë shpjegim, pse “çelësi” i Yuri Kim nuk e hap “bravën” e krimit dhe korrupsionit?!/Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #Pse “çelësi” i Yuri Kim nuk e hap dot “bravën” e krimit dhe korrupsionit?! Korrupsioni krimi Yuri Kim