Editorial12 Gusht 2022, 10:53

Pse Edi Rama e hapi tani hetimin ndaj Birra Tirana?!

Shkruar nga Pamfleti

Pse Edi Rama e hapi tani hetimin ndaj Birra Tirana?!

Kjo është një betejë e fituar nga Pamfleti me xhagajdurët dhe njerëzit e pashpirtë; gjithsesi ky është triumf i punëtorëve në radhë të parë, por që i dedikohet njërit që sot e shikon këtë fitore nga lart: të ndjerit Fatmir Pema.

Kemi më shumë se dy vite që në faqet e Pamfletit, kemi rrëfyer ‘fije e për pe’, të gjithë historinë e tmerrshme të abuzimit dhe skandaleve të sipërmarrësve që kanë marrë nga Ilir Meta, kur ky i fundit ishte kryeministër, një nga asetet më të rëndësishme të vendit- Birrën Tirana.

Gjithçka nisi krejt natyrishëm si çdo shkrim apo hetim gazetaresk, nga shqetësimet e njerëzve. Një grup punëtorësh të Birra Tirana, të cilët ishin edhe aksionerë të ndërmarrjes, u ankuan se u ishte bërë padrejtësi prej drejtuesve, ngaqë u larguan pa të drejtë nga puna.

Asnjë sindikatë në vend, asnjë politikan, asnjë media nuk shkruante për ta, pasi siç mësohet Luan Bregasi ka marrë e kërcënuar me radhë pronarë e gazetarë.

E pasi trokitën tek ‘Pamfleti’, nisën të publikohen faktet që sillnin punonjësit, ku u hapën të gjitha ‘petët e lakrorit’. U zbulua prej një viti më parë mashtrimet me të ardhurat në tatime, duke botuar edhe faksmile të faturave.

Ishte një betejë e gjatë, e cila ka pasur drama e tragjedi të shumta. Një nga punonjësit që denoncuan skandalin, i ndjeri Fatmir Pema, ndërroi jetë pa marrë vesh se më në fund ai dhe shokët e tij ja dolën të fitojnë.

Një betejë që nuk është zhvilluar asnjëherë në Shqipërinë postkomuniste, pasi e drejta e njerëzve të thjeshtë fshihet nga mediat që merren vetëm me problemet jo themelore të shoqërisë.

Punonjësit e ‘Birra Tirana’, kanë qenë gjithmonë në alert për të raportuar çdo gjë që vinte nga doganat dhe më pas tatimet që gjobitën ndërmarrjen Birra Tirana. Madje ata thonë se ka nisur edhe një hetim në Prokurori. E, të gëzuar bekojnë ‘Pamfleti’-n, si të vetmen media që u hapi faqet halleve e derteve të tyre. I ka hapur, edhe pse ka pasur kërcënime. Një familjar i Fatmir Pemës, nga telefoni nuk i mbante lotët për një betejë që u fitua mbi të vërtetën. Por në fakt, i gjithë ky skandal do të duhej të hapej që në fillim, kur ‘Pamfleti’ publikoi faktet e abuzimit me të ardhurat në takime, por edhe me shkeljen skandaloze të Kodit të Punës. Kur largohet forcërisht një i sëmurë terminal, e ku të tjerë kanë vdekur e janë plagosur në kushtet e rënda pa sigurim teknik.

Edi Rama, qeveria e tij, deputetë të PS-së, por edhe politikanë të tjerë janë në dijeni prej fillimit, pasi punëtorët i kanë informuar hollësisht, përpara se çështja të publikohej te ‘Pamfleti’.

Por Rama nuk e lëvizi gishtin dhe e la çështjen varur, sa ju nxiu buzët Fatmir Pemës dhe të tjerëve që kishin një farë besimi se shteti i tyre do të mbronte të drejtën. Asnjë institucion qeveritar nuk shkoi tek punëtorët. Por tani që Ilir Meta iku nga presidenca, Rama po e bën për të dëmtuar mbështetësit mediatik të tij, që të mos nisin një fushatë linçimi ndaj qeverisë e mazhorancës. Pra është thjesht një mekanizëm politik dhe jo një fitore e së drejtës. Sot Edi Rama, duhet të takonte punëtorët dhe të vendosë një lule në varrin e Fatmir Pemës. Këtyre njerëzve të thjeshtë që të vetëm kanë nisur një betejë me përbindëshat e këtij vendi, që e kanë rrjepur e vazhdojnë ta rrjepin.

Po mediat e mëdha, të cilët edhe kur digjej Birra Tirana për çështje allishverishesh nuk i përmendnin as emrin, por flisnin për ngjarjen sikur ka ndodhur në Kabul, e jo në qendër të kryeqytetit, çfarë do të thonë tani që e vërteta doli? Kur gjithë këtë kohë e futën kokën si struci?

Kjo është një betejë e fituar nga Pamfleti me xhagajdurët dhe njerëzit e pashpirtë; gjithsesi ky është triumf i punëtorëve në radhë të parë, por që i dedikohet njërit që sot e shikon këtë fitore nga lart: të ndjerit Fatmir Pema./Pamfleti


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Editorial #Pse Edi Rama e hapi tani hetimin ndaj Birra Tirana?!