Aktualitet 8 Gusht 2022, 19:13

Pse Ilir Meta nuk e kërkon dosjen e Sigurimit? 3 hapat e thjeshtë që duhet të ndjekë ish-presidenti për të treguar nëse është apo jo spiun

Shkruar nga Pamfleti
Pse Ilir Meta nuk e kërkon dosjen e Sigurimit? 3 hapat e thjeshtë

Janë 3 hapa të thjeshtë dhe Meta mjafton të dorëzojë një kërkesë, shoqëruar me kartën e identitetit dhe mund tu thotë shqiptarëve se ai Ilir Metaj që përmend AIDSSH është tjetër

Tragjedia e Himarës dhe zjarret që kanë mbërthyer vendin duket se e “harruan” çështjen e lidhjes së Ilir Metës me Sigurimin e Shtetit.

Vetë ish-presidenti shfaqet në media sikur të mos ketë ndodhur asgjë, teksa premton një aksion opozitar të fortë në shtator. Por në shtator PS do e rihapë çështjen lidhjes së Metës me Sigurimin, pasi do bëjë ndryshime ligjore që dosja të hapet publikisht dhe të shihet nëse Meta ka qenë apo jo bashkëpunëtor.

Por normalisht lind pyetja, pse Meta nuk shkon te Autoriteti i Dosjeve dhe të kërkojë të dhëna për veten e tij nëse ka qenë bashkëpunëtor, apo edhe nëse Sigurimi e ka përndjekur? Ai pretendon se është mashtrim dhe për ta vërtetur këtë mjafton që dosja të publikohet. Aksesin në AIDSSH e kanë vetëm dy individë, Filip Talo dhe Ilir Meta. Talo u informua dhe nuk ka publikuar asgjë, por Meta pse nuk i drejtohet Genta Sulës?

Mjaftojnë 3 hapa, që Meta të marrë gjithë të dhënat dhe të mbyllet kjo histori. Vetë Autoriteti i Dosjeve përmes një njoftimi në faqen e tij në Facebook duket se ja ka treguar Ilir Metës rrugën që duhet të ndjekë.

Autoriteti u jep të prekurve informacion për dokumentet që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për ta, me kërkesën e tyre. I prekuri, kur ka të tilla, jep në kërkesë të dhëna, të cilat e mundësojnë gjetjen e dokumenteve. Informacioni nga Autoriteti përmban një përshkrim të dokumenteve ekzistuese dhe të përgatitura për personin e prekur dhe një riprodhim të thelbit të përmbajtjes së tyre. Bazuar në objektin dhe përmbajtjen e kërkesës, informacioni mund të kufizohet në njoftimin se dokumentet ekzistojnë dhe i prekuri mund t’i shqyrtojë ato. Me kërkesë nga i prekuri, Autoriteti i garanton atij shqyrtimin e dokumenteve që ekzistojnë dhe që janë përgatitur për personin e tij, si dhe dorëzimin e dublikatave të dokumenteve. Në dublikata bëhen të palexueshme të dhënat personale mbi të prekur të tjerë apo palë të treta”, njofton Autoriteti, i cili duket e ka mesazh për Metën që i akuzon për mashtrim.

Ndërkohë më tej janë bërë të ditura dhe 3 hapat që duhet të ndjekë Ilir Metë në këtë rast, por dhe çdo person tjetër, që të pajiset me dokumentet që janë në arkiv për të:

Së pari, personat e interesuar paraqesin kërkesë pranë Autoritetit për t’u informuar për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Kërkesa për të marrë informacion për dokumentin, për shqyrtimin apo marrjen e tij në dorëzim bëhet me shkrim.

Së dyti, kërkuesi, së bashku me kërkesën, paraqet edhe kopje të kartës së identitetit dhe, në rastin e një përfaqësuesi me prokurë të posaçme, edhe prokurën përkatëse.

Së treti, kur kërkuesi çmon se kërkesa e tij duhet të trajtohet me përparësi, ai argumenton nevojën dhe urgjencën në kërkesë. Autoriteti pranon se ndodhet përpara nevojës urgjente, kur informacioni i kërkuar nevojitet për qëllime rehabilitimi, dëmshpërblimi, shmangieje të cenimit të jetës private apo të dëmit moral ose vërtetimin e faktit të mosbashkëpunimit me ish-Sigurimin e Shtetit.

Pas hapave të mësipërm, autoriteti i dorëzon me shkrim informacionin e kërkuar. Pra janë 3 hapa të thjeshtë dhe Meta mjafton të dorëzojë një kërkesë dhe mund tu thotë shqiptarëve se ai Ilir Metaj që përmend AIDSSH është tjetër. Por hezitimi i ish-presidentit ngre dyshime se dosja është e vërtetë. /Pamfleti

Kryesore Dosja Meta Sigurimi