Editorial27 Janar 2023, 11:50

Pse ja ‘kurdisi’ Amerika Edi Ramës?

Shkruar nga Pamfleti
Pse ja ‘kurdisi’ Amerika Edi Ramës?

Pse ja ‘kurdisi’ Amerika Edi Ramës?

‘The New York Times’, ‘Washington Post’, CNN, CNBC, ‘Zëri Amerikës’ etj, e përhapën lajmin, duke i dhënë një goditje të rëndë “artistit të Tiranës” që hiqet sikur ka shpikur rrotën në takimet ndërkombëtare.

Nëse e shikoni me kujdes aferën e ish-zyrtarit të  FBI-së, Charles McGonigal, kupton qartë se mbi 90% e asaj dosje bazën e hetimit e ka në Tiranë.

E pikërisht nga Tirana janë argumentet kryesore që mbështesin akuzën për ish-oficerin e lartë amerikan, por që përfshijnë dukshëm dhe fort kryeministrin e Shqipërisë.

E gjitha kjo, tregon qartë se FBI, e cila në Tiranë është ‘këmbëkryq’ prej kohësh dhe thuajse di gjithçka ndodh tek ne, ka regjistruar në detaj çdo gjë dhe me hollësi.

Nëse çështja në këtë rast të bujshëm gjyqësor të ish-zyrtarit të FBI-së do të ishte thjesht një “konflikt interesi” siç rreket Rama ta cilësojë, në dosje do të ishte vetën shkelja e rëndë e etikës së agjentit McGonigal, mbi të cilin do të kishte nisur një procedim disiplinor, ndoshta edhe akuzë penale, pooor, pa përfshirë fashikujt ku përmendet emri i kryeministrit shqiptar.

E këtu duhen vënë re me kujdes dy gjëra të rëndësishme; e para, lajmi ku Edi Rama përfshihej në marrëdhënien me Charles McGonigal qarkulloi në ajkën e mediave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ‘cover story’.

‘The New York Times’, ‘Washington Post’, CNN, CNBC, ‘Zëri Amerikës’ etj, hapën lajmin, duke i dhënë një goditje të rëndë “artistit të Tiranës” që hiqet sikur ka shpikur rrotën në takimet ndërkombëtare. Kjo është një goditje shumë e rëndë imazhi, që nuk ka gjasa të rekuperohet për të gjithë jetën.

Ndërkaq, tjetra është ajo që ‘Zëri Amerikës’ në gjuhën shqipe, e theksoi në raportimin e saj pas deklaratës së Edi Ramës përpara selisë së Partisë Socialiste.

‘Zëri i Amerikës’, thekson në raportin e saj nga Tirana, përkatësisht i firmosur nga korespondenti, Armand Mero, se “kryeministri shqiptar nuk ka sqaruar se përse ai e ka takuar zyrtarin e FBI-së në prani të personave privatë”. Që përbën realisht një problem jo të vogël, e sipas gjasave do të ketë reperkursione e hollësi gjatë procesit ndaj ish-zyrtarit të Byrosë Federale të Hetimit.

E gjitha kjo nuk duket aspak rastësi, madje sipas të gjitha gjasave Edi Rama e ka pritur një goditje, që kur u përplas me Yuri Kim për Gledis Nanon, për çështje të korrupsionit, apo edhe kur shpalli mbarimin e

misionit të saj, duke përdorur Olta Xhçkën. Duke bërë kokorroçin, Rama ka shantazhuar ambasadoren por ka marrë një shuplakë, e cila është shumë e rëndë për të. Praktikisht vetëm përmendja e emrit të tij në të gjitha mediat botërore, për pak minuta ia ka rrëzuar imazhin në tregjet financiare botërore, ku ai është zhytur në borxhe prej kohësh. E këto borxhe i ka marrë duke shfrytëzuar marrëdhënien e tij të afërt me SHBA, Erdoganin apo qarqet financiare arabe.

Pas kësaj, ka shumë gjasa që të rindërtohet plani i pagesave të reja, interesave, si rrjedhim edhe i  sanksioneve të mundshme. Kjo histori përplasje me Amerikën, mund të sjellë shumë shpejt një falimentim të qeverisë së Edi Ramës, e cila është në ajër, pasi rezulton e zhytur në borxhe, dhe Babloku i ka varur shpresat te arabët e Erdoganit. Por me një goditje të tillë nga superfuqia, reputacioni i tij në tregun ndërkombëtar kthehet në atë të një spekulatori ordiner.

Dhe kjo duket se është vetëm fillimi, pasi gjasat janë se do të kemi goditje të tjera, e kjo vjen vetëm nga Edi Rama. Sepse nëse ai siç amerikanët i kanë kërkuar do largohet, gjërat do të jenë krejt më ndryshe. Kështu në fakt ndodhi edhe me Sali Berishën e Ilir Metën…/Pamfleti

Editorial “Pamfleti” #Pse ja ‘kurdisi’ Amerika Edi Ramës? Gjergj Zefi