Aktualitet 5 Gusht 2022, 17:07

Pse janë egërsuar Meta dhe Berisha pas vizitës së krerëve të SPAK në SHBA? 6 dosjet korruptive që pritet të fundosin dyshen opozitare

Shkruar nga Pamfleti
Pse janë egërsuar Meta dhe Berisha pas vizitës së

Në njoftimet që SPAK ka shpërndarë për vizitat e tyre, e ka bërë të qartë se SHBA kërkon luftë ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet. Por më të rrezikuarit në këtë mes janë Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Vizita e krerëve të SPAK në SHBA duket se ka filluar të alarmojë klasën politike. Arben Kraja dhe Aida Hajnaj u thirrën në Uashington dhe po zhvillojnë takime shumë të rëndësishme. Kjo është vizita e tyre e parë atje dhe sipas burimeve, ata kanë marrë porosi të qarta mbi luftën ndaj korrupsionit.

Pasi të mbërrijnë në Tiranë pritet të ketë shumë zhvillime dhe si duket dy më të tremburit janë Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Pasi Meta mori kreun e Partisë së Lirisë, dukej i distancuar nga Berisha, por sot ata dëshmuan se janë bërë një front i pandarë. Në dy konferenca të ndara shtypi, ata i thurnin lavde njëri-tjetrit, teksa bënë thirrje për kaos dhe përmbysje. Si njëri ashtu dhe tjetri dukeshin të ngrysur në fytyrë dhe lëshonin vetëm kërcënime dhe ultimatume. Por çfarë e egërsoi dyshen opozitare?

Sinjalet janë se ka të bëjë me vizitën e krerëve të SPAK në SHBA dhe atë që po ndodh në Prokurorinë e Posaçme. Në njoftimet që SPAK ka shpërndarë për vizitat e tyre, e ka bërë të qartë se SHBA kërkon luftë ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet. Por më të rrezikuarit në këtë mes janë Ilir Meta dhe Sali Berisha.

Ish-presidenti është më i rrezikuari, kjo për disa arsye: Së pari ai nuk ka asnjë lloj imuniteti. Pasi doli nga Presidenca, Meta është elektron i lirë dhe prokuroria mund ta hetojë e përgjojë shumë lehtësisht. Por nga ana tjetër ai është politikani rekord me dosje në SPAK.

Sipas burimeve të “Pamfletit”, prokurorët kanë hapur 4 dosje për ish-presidentin. Dy dosje janë paditë që ka bërë ish-deputeti Halit Valteri. Njëra ka të bëjë me lobimet e Metës në SHBA, i cili nuk ka deklaruar 700 mijë euro. Ndërsa tjetra ka të bëjë me fshehjen e pasurisë. Kemi edhe një dosje të dorëzuar nga juristi Romeo Kara, e cila ka të bëjë me çështjen CEZ-DIA. Dosja po hetohet sipas burimeve në SPAK. Ndërkohë mësohet se kemi dhe një dosje tjetër, që është bërë nga një qytetar që e akuzon Metën për shpërdorim detyre e korrupsion. Pra ish-presidenti ka 4 dosje flagrante.

Sali Berisha nga ana tjetër ka 2 dosje, por që rrugës edhe mund të shtohen. Kemi një padi për privatizimin e Kompleksit Partizani, ku ai akuzohet për shpërdorim detyre. I paditur është dhe dhëndri i tij. Ndërkohë kemi dhe një tjetër padi që ka të bëjë me privatizimin e OSSH nga CEZ.

Por rreziku më i madh për Berishën vjen nga fakti që është “non grata”. SHBA ka kërkuar disa herë që ai të hetohet dhe nuk është çudi që krerët e SPAK të kenë marrë porosi direkte, ose akoma dhe më keq, të jenë njohur me dosjen që solli shpalljen “non grata”.

Si duket këto zhvillime kanë egërsuar dyshen opozitare Meta-Berisha. /Pamfleti

Kryesore Berisha Meta SPAK