Dosja e zezë22 Janar 2023, 10:38

Pse janë shqetësuar berishistët nga përgjimet e “21 Janarit” dhe a do ta rihapë SPAK dosjen?!

Shkruar nga Pamfleti
Pse janë shqetësuar berishistët nga përgjimet e “21

Shërbimet partnere kanë përgjuar gjithë komunikimet e “21 Janarit” dhe kaq mjafton për të rihapur hetimet. Kodi i Procedurës Penale e ka të përcaktuar qartë që rihapja e dosjeve mund të ndodhë kur ka prova të reja.

Publikimi i bisedave të gardistëve gjatë protestës së “21 Janarit” ka trazuar edhe një herë politikën dhe opinionin publik. Dje u shënuan 12 vite nga masakra e vitit 2011, ku u vranë 4 persona dhe pas kaq shumë vitesh për herë të parë janë publikuar bisedat e kreut të Gardës, Ndrea Prendi, me ushtarët e tij.

Ishte gazetari Artan Hoxha që ka publikuar transkriptin e një përgjimi, ku Ndrea Prendi jep urdhër për të vrarë. Por ky përgjim duket se ka shqetësuar Berishën dhe klanin e tij. Që sapo doli transkripti, mediat pranë Berishës dhe njerëz pranë tij janë hedhur në sulm duke e kundërshtuar. Një televizion pranë Berishës, por edhe njerëz pranë tij, i kanë cilësuar përgjimet si pa vlerë. Sipas tyre ato nuk mund të përdoren sepse nuk janë prova. E njëjta gjë artikulohet dhe nga mbështetës të tjerë, të cilët i hakërrehen Ina Ramës.

Pra nëse lexohen me kujdes qëndrimet e të gjithë berishistëve, frika e tyre është se mund të rihapen hetimet dhe kapen pas pjesës se përgjimi nuk mund të përdoret si provë. Por teksa Berisha mburret me vrasjet në bulevard dhe shprehet se ka zbatuar ligjin, pse janë shqetësuar nga bisedat e fundit? Sinjalet janë se SPAK ndoshta do të lëvizë. Aktualisht dosja e “21 Janarit” është në Prokurorinë e Tiranës dhe me daljen e provave të reja mund të kemi të njëjtën skemë si me atë të Gërdecit. Duket se kjo ka filluar të shqetësojë berishistët, pasi dosjet e Saliut në SPAK kanë nisur të shtohen nga dita në ditë.

Por teksa në dritë dolën prova të reja është e habitshme se si po zvarritet prej vitesh hetimi për Aleks Nikën. Teksa për viktimat e tjerë gjykatat kanë dhënë vendimet e tyre, për Aleks Nikën nuk ka asnjë person të akuzuar apo dënuar. 2 vite më parë, Policia e Tiranës bëri një lëvizje që fillimisht u duk se do të rihapte dosjen, por që mesa duket ka përfunduar në flluskë sapuni.

Në një letër dërguar Prokurorisë së Tiranës, kërkohej që të bëhet ri-ekspertim i predhës që u gjet në trupin e Aleks Nikës, i cili u dërgua në Turqi, por humbi jetën disa ditë më pas. Policia pretendonte se 10 vite më pas, teknologjia do të mund të hedh dritë mbi këtë ngjarje. Po ashtu kërkohej që të merreshin në pyetje, të afërm dhe familjarë të viktimave, të personave të cilët mbetën të plagosur në atë protestë, po ashtu edhe të dëshmitarëve që ishin të pranishëm atë ditë.

I vetmi hap që ndërmori Prokuroria e Tiranës është se dërgoi plumbin për ekspertim në Itali, ndërsa në hapat e tjerë dështoi.

Por tani duket se ka një zhvillim të ri. Shërbimet partnere kanë përgjuar gjithë komunikimet e “21 Janarit” dhe kaq mjafton për të rihapur hetimet. Kodi i Procedurës Penale e ka të përcaktuar qartë që rihapja e dosjeve mund të ndodhë kur ka prova të reja. Duket se tani topi ka kaluar në portën e SPAK. /Pamfleti

Dosja e zezë e maskaradës politike 30 vjeçare 21 Janari Berisha