Kronike20 Prill 2022, 21:56

Pse Laert Haxhiu ekzekutoi Elton Mermalin? Zbardhet dëshmia e të penduarit të drejtësisë për vrasjen e ish-anëtarit të b

Shkruar nga Pamfleti
Pse Laert Haxhiu ekzekutoi Elton Mermalin? Zbardhet dëshmia e të

Pse Laert Haxhiu ekzekutoi Elton Mermalin? Zbardhet dëshmia e të penduarit të drejtësisë për vrasjen e ish-anëtarit të bandës së Aldo Bares

Përse Laert Haxhiu dyshohet se ekzekutoi Elton Mermalin, që jo vetëm kishte qenë ushtari i bindur i Aldo Bares, por edhe kishte ndarë të njëjtin burg në Peqin me shefin e tij të dikurshëm?

Për të hedhur dritë mbi këtë çështje, emisioni “Në Shënjestër” ka publikuar dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Petrit Liçi.

Ky i fundit rrefeu për autoritetet se si në vitin 1998, Elton Mermali, mori pjesë në vrasjen e Bledar Haxhiut, të afërmit të Laert Haxhiut, të cilin pasi e ekzekutuan në pritë, e shpërfytyruan duke i derdhur dhjetëra plumba, mbi trupin e pajetë.

“Në tetor të vitit 1998 isha në shtëpi, duke punuar. Po prisja blloqe betoni. Në këtë moment vjen Erjon Kashari me të cilin kam qenë në shkollë dhe e njihja mirë. Erjoni ka ardhur disa herë me Elton Mermalin. Ata më propozuan të shërbenim si roje në shtëpinë e Edjan Xhafës, i cili ishte i plagosur dhe ishte në hasmëri. Unë nuk e dija se si kishin qenë punët, por pranova të ruaja shtëpinë e tij ditë-natë, bashkë me Mermalin dhe Kasharin. Ai e kishte shtëpinë pranë kodrës së Lushnjës, të rrethuar si kështjellë. Pasi qëndruam disa ditë, Edjani na kërkoi ta ndihmonim të bënte një vrasje. Edjani donte të vriste Bledar Haxhiun, por ai ishte i plagosur dhe nuk e bënte dot vetë. Na tha se do të na jepte shumë para po ta vrisnim. Pranuam të bënim vrasjen. Ne e pritëm Bledar Haxhiun disa herë në kryqëzim. Por një ditë, Edjani erdhi edhe vetë dhe na dha një çantë me katër automatikë.

Në datën 23 tetor, rreth orës 8 ose 9 të mëngjesit, u nisëm me makinë, unë, Erjon Kashari dhe Elton Mermali. Pas nesh erdhi dhe Edjani me Dritan Vilën. Pritëm në kryqëzim. Po vinte Bledar Haxhiu me makinë së bashku me Artan Sulçen. Ne sa e pamë nxorëm automatikët dhe qëlluam. Pasi u siguruam se e vramë, u nisëm. Në këtë moment unë ktheva kokën dhe pashë që Edjani së bashku me Dritan Vilën kishin shkuar te makina dhe po qëllonin me pistoleta mbi trupat e vrarë të tyre. Më pas u larguam në shtëpinë e Edjanit”- thuhet në dëshminë e të penduarit të drejtësisë.

Sipas dosjes hetimore, Elton Mermali, i cili në vitin 2011, kishte ndryshuar gjeneralitetet në Alban Semaku, ishte ekstraduar në vitin 2006 nga Italia.

Kjo pasi, Gjykata e Lushnjës i kishte caktuar me vendimin e datës 28.08.2003, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja”, e ndodhur në qytetin e Lushnjës.

Vrasje, e cila sipas vendimit të kësaj gjykate ishte kryer në kuadër të organizatës kriminale të Lushnjës. Vetëm disa vite më pas, pas vuajtjes së dënimit, Elton Mermali, dënohet sërish.

Edhe këtë herë nga Gjykata e Lushnjës, e cila me vendimin e datës 16.11.2015, e dënonte ish-ushtarin e Aldo Bares, me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake” si dhe “Kanosjes”.

Dënim të cilin Mermali e vuajti deri në lirimin nga burgu më 6 Maj 2021, liri, të cilën nuk mundi ta shijojë për shumë kohë. Vetëm disa muaj më vonë, më 17 tetor 2021, ai u gjet i vrarë, i hedhur në anë të rrugës në Peqin, shumë larg banesës së tij në Lushnjë, në atë, që njihet si tregu i shpendëve në qytet, ku të parët që konstatuan trupin ishin punëtorë të tregut, të cilët nuk dhanë njohje mbi viktimën.

Kronike Elton Mermali laert haxhiu