Ndërsa ministri i jashtëm serb i sapoemëruar, Ivica Daçiç ka nisur lojën e tij të njohur, për të gjetur vende në botë që nuk e njohin Kosovën; qarqet e Beogradit janë irrituar nga një axhendë e Albin Kurtit në Madrid.
Marrja pjesë e kryeministrit të Kosovës në kongresin e Internacionales Socialiste në kryeqytetin iberik, ku u zgjodh kryetar, kryeministri i Spanjës, Petro Sançez, ka patur rëndësi për Kurtin.
Përveç fjalës në Kongres, e cila ishte mjaft e rëndësishme për të pranishmit, që janë përgjithësisht qeveritarë e zyrtarë të rëndësishëm në botë; qarqet në Beograd, duket kanë parë me vëmendje takimin e Albin Kurtit me një nga politikanët më të njohur spanjollë, Havier Solanën. Një nga emrat më të rëndësishëm të socialistëve spanjollë, që tashmë kanë marrë mandatin e dytë qeverisës në vend, nuk është shumë aktiv në politikën e ditës, por mbetet njëri me influencë sidomos në qarqet politike në pushtet.
Ish-Sekretari i përgjithshëm i NATO-s që ka firmosur bombardimin e Jugosllavisë së Milosheviçit, e ish-shefi i diplomacisë së parë të BE-së, kur Kosova shpalli pavarësinë, është takuar në Madrid me Albin Kurtin. Takimi është mbajtur në një nga muzetë më të njohura të Spanjës, ai i Prados, ku Solana është edhe drejtor i patronazhit të trashëgimisë.
Gazeta serbe “Veçernie Novosti”, shkruan se Solana ka gjasë të jetë një lobist dhe këshilltar i jashtëm i Albin Kurtit. Ç’ka sipas medias serbe është e rrezikshme, pasi mund të jemi në procesin e njohjes së Kosovës nga Spanja.
Ky vend i rëndësishëm i Bashkimit Europian, është edhe problemi më i madh i 5 vendeve që ende s’e kanë njohur Kosovën, që e bën nga motive të tjera politike, konkretisht për të mos nxitur pavarësimin e Katalonjës.
Ndërkaq, ‘Novosti’, thekson se me një marrëveshje ndërmjet Kosovës e Serbisë, Spanja do të ndalonte bllokadën dhe do të vendoste të njihte Kosovën.
Edhe gazeta tjetër serbe, Blic, i jep hapësirë takimit Solana-Kurti, e kritikon Ivica Daçiç se merret me shtetet e parëndësishme.
Ndërkaq, ministria e jashtme serbe, ka shpërndarë dje një lajm se India nuk do ta njohë Kosovën, duke cituar një zëdhënës të ministrisë së Jashtme të atij vendi të madh. Por infoja ishte mjaft kaotike e pa një kontekst të qartë.
Ndërkaq, në skenë ka dalë edhe përbindëshi Vojislav Sheshel, por kësaj radhe në logjikën e analistit.
Në një intervistë televizive që ka dhënë në televizionin ‘Pink’ të Beogradit, Sheshel ka thënë se politikani që ai e quan më të zgjuar në Kosovë është Ramush Haradinaj, kurse Albin Kurti sipas tij nuk është shumë inteligjent. Sipas shefit famëkeq të paramilitarëve që bënë krime makabre në Bosnjë e Kosovë, “SHBA kërkon të mos acarojë situatën, ndaj do të vazhdojë ta mbajë afër Serbinë. Amerikanët e kanë arritur qëllimin për ta çliruar dhe pavarësuar Kosovën, tani po mundohen të mbajnë Beogradin brenda rrezes së saj”.
Një tjetër aspekt, që Beogradi është i shqetësuar, janë pikërisht zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në veriun e Kosovës, të shkaktuara nga largimi i drejtuesve aktualë, duke bojkotuar të gjithë institucionet.
Vuçiç ka dërguar eksponentë të hurit e të lirarit, pjesë e strukturave të BIA për të terrorizuar banorët serbë në veri.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media deklaroi se “Iniciativa qytetare Mitrovica ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut. Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar emrat e katër kandidatëve për certifikim për zgjedhjet e katër komunave.
Partia e Serbëve të Kosovës (Partia Kosovskih Srbska) ka aplikuar për certifikim me kandidatin e saj në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Leposaviqit”.
Sipas afateve të miratuara nga KQZ-ja, procesi i vendimmarrjes për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve do të zhvillohet deri më 28 nëntor.
Zgjedhjet janë lënë për me 18 dhjetor, por është shumë e vështirë që të ketë proces të qetë, si prej terrorit që shkaktojnë njerëzit e Listës Serbe në territor, por edhe mungesa e policisë si pasojë e largimit të policëve serbë.
Nëse BE apo OSBE nuk do të marrë përsipër vëzhgimin e zgjedhjeve, ka shumë gjasa që më pas të dërgohet policia e Kosovës për të ruajtur vëzhguesit, e situata do të ishte krejt ndryshe./Pamfleti