Aktualitet 5 Korrik 2022, 22:52

Pse nisën njëkohësisht protestat në Ballkan? Në Shkup sulmohen institucionet, tubime brenda javës edhe në Podgoricë e Tiranë

Shkruar nga Pamfleti
Pse nisën njëkohësisht protestat në Ballkan? Në Shkup

Protestat në Maqedoni dhe Malin e Zi

Ballkani është mbërthyer nga protestat. Teksa ndërkombëtarët kanë disa javë që japin alarmin se rajoni mund të shkojë drejt destabilizimit, opozitat në Shkup, Tiranë dhe Podgoricë janë aktivizuar njëkohësisht.

Sali Berisha më 7 korrik do të mbajë një protestë kundër qeverisë, qëllimi i së cilës është rrëzimi i Edi Ramës. Pati shumë pikëpyetje se përse u vendos kjo datë, por duke parë zhvillimet që po ndodhin në shtet e rajonit dyshimet janë se mund të ketë ndoshta dhe diçka tjetër.

Siparin e protestave e ka nisur Shkupi. Prej disa ditësh aty protestohet kundër propozimit francez për negociatat, ndërsa sot ka pasur dhe dhunë. Protestat në Shkup, ashtu si në Tiranë i organizon opozita.

Protesta në Shkup nisi para Kryeministrisë dhe ka vazhduar më pas tek Ministria e Jashtme, ku protestuesit kanë hedhur mjete piroteknike dhe sende të forta, duke thyer xhamat. Protestuesit i kanë bërë thirrje ministrit të Jashtëm, Bujar Osmanit, që “ta mësoj historinë”. Në pankartat e protestuesve emri i Bujar Osmanit, ishte deformuar në Bugar Osmani.

Protestuesit janë ndaluar më pas para Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku kanë tentuar të futen brenda, por janë ndalur nga policia. Gjatë protestës, policia maqedonase tha se janë lënduar katër policë.

Ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski ka bërë thirrje për protesta të qeta dhe demokratike duke nënvizuar se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe këtë të drejtë askush nuk guxon tua mohojë.

Por dje pati protesta edhe në Malin e Zi. Para selisë së qeverisë të Malit të Zi, të hënën në mbrëmje u mbajt një tubim, ku përfaqësues të opozitës dhe qytetarët kundërshtuan paralajmërimin e kryeministrit Dritan Abazoviç se qeveria do të bëjë publike të enjten, tekstin e një marrëveshjeje me Kishën Ortodokse serbe.

Amar Borançiç nga Partia Liberale tha se kjo qeveri edhe një herë po mbjell dyshime në veprimet e veta.

“Qeveria duhet të garantojë të njëjtat të drejta për të gjitha bashkësitë fetare në përputhje me kushtetutën”, tha zoti Borançiç.

Pra këtë javë, kemi protesta në 3 shtetet kryesore të rajonit. Ndoshta është edhe koicidencë, por në të tria protestat janë të përfshira partitë opozitare.

Kryesore 3Tubime opozita Protesta