
Pse ‘Primaret’ e Tiranës frikësojnë më shumë Berishën se Lali Erin!
Fenomeni misterioz në logjikën e dinozaurëve të politikës me zgjedhjet lokale
Ka një fenomen paksa misterioz në logjikën politike të PD-së së Sali Berishës dhe allishverishit të tij me Ilir Metën. Ndërkohë që në Tiranë kanë nxjerrë një numër të madh kandidatësh në atë që ata e quajnë “primare”, në dy qytete të tjera si Durrësi dhe Elbasani e kanë ndaluar konkurrencën.
Në Durrës është fiksuar Igli Cara; madje edhe Agron Duka u prononcua publikisht se e përkrah kandidatin e opozitës. Ndërkaq në Elbasan është vulosur Luciano Boçi.
Në të dy këto qarqe është krejt i ndryshëm procesi nga ajo që vetë Berisha ka premtuar.
Dakord Igli Cara është një nga emrat e njohur të PD-së në Durrës; dakord e përkrah edhe një lob shumë i fortë si ai i Agron Dukës; por përse të mos votohet krah tij në ‘primare’ ndonjë individ që e ndjen se mund ta bëjë këtë? Edhe në Elbasan; Luciano Boçi është paraqitur si kandidaturë unikale. Kur realisht në këtë bashki, PD ka shumë alternativa. Duke nisur nga kreu i degës Aurel Bylykbashi.
Si me Durrësin, ashtu edhe me Elbasanin, Berisha ka vënë veton, pasi realisht ka kontroll në më pak se 30% të seksioneve të PD-së, e kështu nuk do të trazojë ujërat.
Po përse atëherë në Tiranë kanë dale kaq shumë kandidatura?
Sepse realisht në Elbasan e në Durrës, kushdo që të dalë nuk fiton…
Luçiano nuk fiton në Elbasan se nuk e lë oligarku problematik i ‘City Fish’, i cili mendon se e gjithë bashkia merr frymë nga mushkëria e tij e kontaminuar me të gjithë njerëzit me vese të kësaj dynjaje.
Ndërkaq, Durrësi është me rëndësi stategjike përsa i përket projektit të portit…
Edi Rama mund ta lërë edhe Tiranën për opozitën, por jo Elbasanin e Durrësin, që i konsideron si modele të qeverisjes së tij.
E pikërisht këtu qëndron problemi, ndaj Sali Berisha nuk ka pjekur një kandidaturë, por po promovon disa; Belind Këlliçin, Erion Bogdanin, Ilir Alimehmetin, etj., etj.
Asnjëri prej kandidaturave të rëndësishme nuk konsiderohet ‘besnik’ i Berishës.
Pasi nëse do të ishte ndryshe nuk do të kishte mbështetur kandidimin e dy njerëzve që financohen nga familja e Sali Berishës; Adriana kalaja dhe Julian Deda…
Në Tiranë, ka gjasa, që nëse bëhet një betejë reale, opozita dhe kandidati i saj të fitojë. E kjo, të themi realisht ndodh më shumë për faktorë që vijnë si pjesë e jashtme e opozitës; që janë qëndrimet ndërkombëtare.
Megjithatë, është vënë re, që në Tiranë, Rama nuk se po shkakton ndonjë rezistencë e si rrjedhim mund të lejojë një lëvizje jashtë tij, pra një fitore të kandidatit të opozitës. Siç ndodhi para dy vitesh në Turqi kur Erdogan hapi Stambollin e Ankaranë për opozitën.
Kjo logjikë duket qartë edhe në panikun e Erion Veliajt, të cilin nuk e mban vendi por po prodhon nga shtatë lajme në ditë.
Megjithatë këtu ka në handikap, që edhe Sali Berisha dhe Ilir Meta i frikësohen…
Ata i tremben lindjes së një lideri të ri opozitar nga gara e Tiranës, i cili mund t’i ‘varrosë’ dinosaurët. Ndaj kanë sulmuar si Këlliçin ashtu edhe doktor Alimehmetin. Sepse nëse njëri nga ata do të fitojë, gjë që nuk është edhe aq e pamundur, kandidati apo lideri i opozitës do të jetë kreu i ri i bashkisë së Tiranës. Ndaj si Berisha ashtu edhe Ilir Meta duan më shumë Veliajn se Këlliçin e Alimehmetin…/Pamfleti