
Pse “qajnë” prokurorët para Yuri Kim, si dikur Adriatik Llalla para Donald Lu?
Këta që për t’u pasuruar, e vranë drejtësinë, e përdhunuan Kushtetutën; sot i kanë rënë në dorë ambasadores Yuri Kim se politika po i ç’burrëron, ç’feminizon dhe terrorizon.
Shkruan Sokol Pepushaj
Prokurorët tanë nuk janë ende në betejë me mafien, megjithatë, ja kanë marrë vajit me oiii, me pretekstin se “fajin që s’kemi dhënë drejtësi, që jemi milionerë, nuk e kemi ne, por politika”.
Politika si relike që këta e mbanin varur në gjoks deri tani, është aq e rëndë sa gjithë mëkatet e 32 viteve të fundit. Nuk i mban dot askush krimet e saj, por as sistemi i drejtësisë nuk ka asgjë që mund të fshehë, as ‘lotët prej krokodili’.
Ata janë ulur në gjunjë para ambasadores amerikane dhe “qajnë”, edhe pse asnjë shqiptar, s’ka parë me sy një përplasje me autoritetet, një ‘thyerje dhëmbësh’ apo ‘prerje veshi’.
Këto që ankohen sot kanë shumë mëkate, apo jo?
Rrogat anemike, pasuritë po ashtu, se një vend si ky dihet sa prona ka, apo është ndryshe?
Nejse, është mirë që janë të terrorizuar, që ndjejnë t’u lëvizë ‘toka nën këmbë’.
Kur tjetri është në rrezik, nevojat kanë shpikur doket, doket kanë sjellë kodet tona, e kodet “institucionin” e besës.
Këta që për t’u pasuruar, e vranë drejtësinë, e përdhunuan Kushtetutën; sot i kanë rënë në dorë ambasadores Yuri Kim se politika po i ç’burrëron, ç’feminizon dhe terrorizon.
I kërkojnë të mos i “vrasë” hasmi sa të kalojnë fshatin. Secili mendon se mund të jetë një Adriatik Llallë që disi do fshehë pasuri e disi do jetojë jashtë burgut.
Po le të pyesim se përtej fshatit e besës, ç’i pret?
Për t’i vrarë, ta stakojnë trurin, veç të ruhen nga shokët.
Pikërisht se druhen nga shokët e bashkëpunëtorët struken pas stop-it të Yuri Kim. Ai stop, nuk është vetëm për Edi Ramën, Sali Berishën dhe Ilir Metën, por edhe për vetë ata që ankohen.
Ankuesit, pasi lirojnë nga burgu Alqi Bllakon e bëhen gati për të liruar edhe Lefter Kokën, i ngjajnë atij fëmijës që shokët i marrin topin dhe shkon tek e ëma duke qarë se e kanë rrahur.
Janë aty ku secili shtyn në greminë secilin.
Edi Rama është më i gjati. Këta që “qajnë”, që as fletën e parë të Kushtetutës nuk e kanë shfletuar, që kanë mbushur thasët me para e burgjet me viktima, që kanë futur duart në xhepat e nevojtarëve e bashkëpunuar me krimin; kanë humbur shikimin, orientimin dhe më e rënda, ende tjerrin “leshin” në furkën e fukarenjve e fshihën pas një Stop-i duke mbajtur me duar xhepat e fryrë.
Shqiptarët sot, kanë më shumë se 80 për qind të pronave të tjetërsuara.
Ja pra, cila është fabula; Kaq shumë kanë mëkatuar, sa nuk njohim asnjë shqiptar që nuk kërkon transparencë pasurie e burg edhe për ata, prandaj edhe pyesin, pse “qajnë” prokurorët para Yuri Kim, si dikur Adriatik Llalla para Donald Lu?/Pamfleti