Dosja e zezë12 Nëntor 2022, 15:02

Pse SPAK harroi të thërrasë Berishën dhe dhëndrin e tij për aferën me ish-kompleksin “Partizani”?

Shkruar nga Pamfleti
Pse SPAK harroi të thërrasë Berishën dhe dhëndrin e tij

Si Berisha, ashtu dhe dhëndri i tij nuk e dinë nga bie dera e SPAK. Madje Jamarbër Malltezi edhe i sfidoi prokurorët dje…

Prokuroria e Posaçme është dorëzuar sërish para ish-kryeministrit Sali Berisha. Hapja e dosjes për aferën me privatizimin e pronave të ish-kompleksit “Partizani”, u trumbetua si një lëvizje e bujshme që do dërgonte pas hekurave ish-ministra e funksionarë të lartë, por edhe kjo dosje ka nisur të zërë pluhur.

Në shtator të këtij viti, SPAK mori në pyetje disa prej bashkëpunëtorëve të Sali Berishë në këtë aferë. Ish-ministrat e Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe Gazment Oketa u morën për orë të tëra në pyetje, pasi ata janë mes emrave të përfshirë në privatizimin e pronave. Po ashtu u pyet dhe gjenerali Vladimir Qiriazi, i cili ishte i vetmi që refuzoi të firmoste.

Po në shtator u njoftua se në pyetje do të merreshin edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe dhëndri i ish-kryeministrit, Jamarbër Malltezi. Të tre të fundit janë paditur për abuzime me shpronësimin në këtë zonë. Mirëpo kanë kaluar 2 muaj që kur u hap dosja dhe nuk ka pasur asnjë lëvizje.

Si Berisha, ashtu dhe dhëndri i tij nuk e dinë nga bie dera e SPAK. Madje Jamarbër Malltezi edhe i sfidon prokurorët, pasi dje u shfaq të blloku i pallateve që ndërtoi mbi pronat që po hetohen, teksa inauguronte një xhami.

SPAK ka në dorë disa dosje të forta kundër Berishës. Së pari kemi kompleksin Partizani. Po ashtu po hetohet Gërdeci. Një dosje tjetër është ajo e CEZ. Por në asnjë rast Berisha nuk është thirrur, të paktën në cilësinë e dëshmitarit.

Historikisht Berisha i ka pasur fobi gjykatat dhe prokuroritë. Kur u vra Azem Hajdair u thirr me dhjetëra herë si dëshmitar, por kurrë nuk shkoi si në gjykatë ashtu dhe në prokurori. I vetmi rast kur ai ka shkuar para organeve të drejtësi është kur plasi skandali i Tom Doshit me Ilir Metën, pasi Berisha u mor në pyetje si person që kishte dijeni.

Që nga ajo kohë drejtësia është dorëzuar para tij, pasi askush nuk guxon ta thërrasë. Mbetet të shihet nëse me largimin e Arben Krajës do të nisë një epokë e re. Në 3 vite, pas hekurave janë vetëm Lefter Koka dhe Alqi Bllako, ndërsa ata që kanë rrjepur shqiptarët janë të lirë si në PS, ashtu dhe në PD e LSI. /Pamfleti

Dosja e zezë e maskaradës politike 30 vjeçare Berisha Partizani SPAK