Bota 7 Gusht 2022, 21:23

Pse takimi Erdogan-Putin ka alarmuar Perëndimin dhe “ndëshkimi” që pret Ankaranë nëse ndihmon Moskën

Shkruar nga Pamfleti
Pse takimi Erdogan-Putin ka alarmuar Perëndimin dhe

Uashingtoni ka paralajmëruar vazhdimisht se do të godasë vendet që ndihmojnë Rusinë të shmangë sanksionet.

Kryeqytetet perëndimore janë në alarm për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes presidentit turk, Recep Tayip Erdogan dhe atij rus, Vladimir Putin, duke rritur mundësinë e hakmarrjes ndaj anëtarit të NATO-s, nëse ndihmon Rusinë të shmangë sanksionet.

Gjashtë zyrtarë perëndimorë i thanë “Financial Times” se ishin të shqetësuar rreth premtimit të bërë nga liderët turq dhe rusë për të zgjeruar bashkëpunimin mbi tregtinë dhe energjinë, në takimin që patën në Soçi të premten.

Një zyrtar i BE-së tha se blloku 27-anëtarësh po monitoronte marrëdhëniet turko-ruse “gjithnjë e më nga afër”. Një zyrtar i lartë perëndimor sugjeroi gjithashtu se vendet mund tu bëjnë thirrje kompanive dhe bankave të tyre që të tërhiqen nga Turqia nëse Erdoğan ndjek qëllimet që ai përshkroi të premten – një kërcënim shumë i pazakontë kundër një shteti anëtar të NATO-s që mund të dëmtojë rëndë rëndë ekonominë e brishtë turke.

Tre zyrtarë evropianë thanë se BE nuk kishte zhvilluar ende ndonjë diskutim zyrtar rreth pasojave të mundshme për Turqinë. Disa të tjerë paralajmëruan se ishte e paqartë se çfarë kishin rënë dakord Erdogan dhe Putin dhe se një vendim zyrtar i BE-së për sanksionet kundër Turqisë do të ishte sfidues, duke pasur parasysh ndarjet për këtë çështje brenda bllokut.

Por edhe pa një marrëveshje të BE-së, disa shtete anëtare mund të ndërmarrin veprime individuale. “Për shembull, ata mund të kërkojnë kufizime në financimin e tregtisë ose të kërkojnë nga kompanitë e mëdha financiare që të reduktojnë financat për kompanitë turke,” tha një zyrtar. “Unë nuk do të përjashtoja ndonjë veprim negativ, nëse Turqia afrohet shumë me Rusinë”, shtoi ai.

Sipas një zyrtari të inteligjencës ukrainase dhe një diplomati perëndimor, sugjerimet për hakmarrje të mundshme kundër Turqisë vijnë pasi Ukraina zbuloi një dokument nga Moska që përshkruan mënyrat për të ndihmuar Rusinë të shmangë sanksionet. Ankaraja do fusë në lojë bankat turke.

Uashingtoni ka paralajmëruar vazhdimisht se do të godasë vendet që ndihmojnë Rusinë të shmangë sanksionet. Zëvendëssekretari i Thesarit i SHBA-së Wally Adeyemo u takua me zyrtarë turq dhe bankierë të Stambollit në qershor për t’i paralajmëruar ata që të mos bëhen kanal për paratë e paligjshme ruse.

Pas takimit të javës së kaluar në Soçi, zyrtari më i lartë i energjisë i Moskës, zëvendëskryeministri Alexander Novak, u tha gazetarëve se Turqia kishte rënë dakord të paguante gazin e Rusisë në rubla. Putin dhe Erdogan diskutuan për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve bankare dhe shlyerjet në rubla dhe lira, shtoi ai.

Zyrtari i lartë perëndimor sugjeroi se qeveritë mund të veprojnë kundër Ankarasë duke “u bërë thirrje firmave perëndimore që ose të tërhiqen nga marrëdhëniet në Turqi, ose të tkurren marrëdhëniet e tyre me Turqinë, në dritën e rrezikut që do të krijohej nga Turqia duke zgjeruar marrëdhëniet e tyre me Rusinë”. Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times

Bota Erdogan Financial Times Putin