Aktualitet29 Qershor 2022, 10:56

Pse u hoq nga lista e ekstradimit vëllai i prokurorit Petrit Fusha, i dënuar për trafik droge në Spanjë?

Shkruar nga Pamfleti
Pse u hoq nga lista e ekstradimit vëllai i prokurorit Petrit Fusha, i

Pse u hoq nga lista e ekstradimit vëllai i prokurorit Petrit Fusha, i dënuar për trafik droge në Spanjë?

Drejtësia spanjolle e ka dërguar dosjen e tij qysh në vitin 2020, në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit (OFL), por ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ish-kryepolici Ardi Veliu dhe ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj nuk e futën në listën e sekuestros të afro 3 milionë Euro pasuri që ka në Shqipëri, mes tyre dhe resortin luksoz “MAI-TAI” me sipërfaqe 3000 m2 në Farkë

Marrëveshja reciproke Shqipëri- Spanjë për ekstradimin e personave të arrestuar e burgosur, duket se nuk qenka e vlefshme për Sulejman Shefqet Fushën, vëllain e Petrit Fushës, ish-kryeprokuror i Tiranës dhe Drejtor i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, deri më 6 mars 2019 kur dha dorëheqje nga frika e “Veting”.

Pas 15 vitesh aktivitet trafikimi kokaine në Spanjë, si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal me rrjet tregu në Itali, Francë, Greqi, Qipro e Turqi, Sulejman Fusha u arrestua në vitin 2011 me emrin “Sulejman Shkalla”.

Para 9 vitesh, ai është i dënuar një herë 12 vite dhe ri- dënuar me 9 vite të tjera, si pjesë e një tjetër grupi kriminal, dhe po mbahet në burgun “Centro Pontanciario” të rajonit Villena Alicante-Spanjë.

Vëllai i ish- prokurorit Petrit Fusha, ishte në listën e dytë të ekstradimit nga Spanja, që palët kishin hartuar në muajin maj 2022, listuar mes 6 shqiptarëve të tjerë të arrestuar e dënuar po për trafik droge, por befasisht emri i Sulejman Fushës është hequr nga pala shqiptare.

Pasi iu bë gati dosja e ekstradimit, u hoq nga lista, me justifikimin se gjoja në burgjet shqiptare, i rrezikohet jeta, nga persona të dënuar prej vëllait të tij ish-prokuror i Tiranës, por kjo nuk qëndron, mbasi në Shqipëri ka burgje të sigurisë së lartë dhe për  jetën e të burgosurve.

E vërteta është, se për mos- ekstradimin e trafikantit Sulejman Fusha, ka pasur ndërhyrje e ndikim te Edi Rama, nga vëllai i tij Petrit Fusha e djali xhaxhit Shkëlqim Fusha, i shpallur nga drejtësia e BE, si “lavatriçe” e pastrimit të milionave të drogës me ndërtime.

Në burgun e Spanjës, është bashkë me 3 shqiptarët Arjan N., Ardian D. e Julian Gj., pjesë e grupit të tij trafikues, të arrestuar pas tij, të cilëve më 6 gusht 2021, SPAK u sekuestroi 1.2 milionë Euro pasuri në Shqipëri.

Ndërsa trafikantit Sulejman Fusha, megjithëse i dënuar me 21 vite burg, nuk iu sekuestrua as “1 cent”, kur dihet që ka mbi 3 milionë Euro pasuri toka, troje, vila e investime në kulla te firma “Fusha Shpk”, por dhe biznese që ia administron vëllai, ish-prokurori Petrit Fusha, një prej të cilëve resorti luksoz “MAI-TAI” me sipërfaqe 3000 m2 në Farkë.

Këtë pasuri e shumë të tjera në emër të Petrit Fushës, i ka konfirmuar dhe Raporti Nr. 1404, datë 21.02.2019 i Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, që iu dërgua komisionit të “Veting”. Po përse shteti nuk e sjell në Shqipëri, trafikantin Sulejman Fusha?

Sipas informacionit, drejtësia spanjolle e ka dërguar dosjen e tij qysh në vitin 2020, në kuadër të Operacionit Forca e Ligjit (OFL), por Sandër Lleshaj, Ardi Veliu e ish ministrja e Dtrejtësisë Etilda Gjonaj e hoqën nga lista e sekuestros.

Ndërsa tani, nëse do ekstradohet për të kryer dënimin në Shqipëri, bashkë me të do vijë dhe dosja si trafikant; gjë që sipas ligjit Anti-Mafia, do detyrojë SPAK-un të fillojë veprimet për sekuestrimin e pasurive të Sulejman Shkallës, të vëllait Petrit Fusha e oligarkut Shkëlqim Fusha, i skeduar nga drejtësia europiane si “lavatriçe” e parave të drogës në ndërtime.

Pra, heqja nga lista e ekstradimit, nuk është skemë për të  mbrojtur trafikantin Sulejman Fusha nga të burgosurit e dënuar prej vëllait të tij, por për të mos i sekustruar afro 3 milionë Euro pasuri të vëna me trafik droge në Spanjë./Pamfleti

Kryesore #i dënuar për trafik droge në Spanjë #Pse u hoq nga lista e ekstradimit vëllai i prokurorit Petrit Fusha #Sulejman Shkalla Sulejman Fusha