Aktualitet 8 Dhjetor 2022, 12:34

Pse udhëheqësit e vendeve ish-komuniste e kanë dorën e gjatë?

Shkruar nga Pamfleti
Pse udhëheqësit e vendeve ish-komuniste e kanë dorën e

Realiteti historik tregon se fenomenin mongol të megavjedhjeve shtetërore dhe të korrupsionit kulmor zyrtar dhe të pasurimit të udhëheqësve të rij nga proletarë në miliarderë me pasuritë dhe me postet shtetërore, e kemi në të gjitha shtetet ish-komuniste, nga Mongolia deri në Shqipëri.

Shkruan Shaban Murati

Mongolia është shteti i dytë komunist më i vjetër në botë, pas Rusisë, dhe shteti i parë komunist në Azi, ku regjimi komunist u vendos qysh në vitin 1924. Mongolia pati në dispozicion rreth 70 vjet të ndërtonte komunizmin dhe të krijonte njeriun e ri. Modeli i keq i udhëheqësve pati ndikimin e vet negativ, sepse sot Mongolia ka vendos një rekord botëror vjedhje kolosale dhe korrupsioni zyrtar. Në datën 4 dhe 5 dhjetor 2022 në kryeqytetin Ulan Bator shpërthyen protesta të fuqishme popullore kundër skandalit të megavjedhjes dhe të korrupsionit zyrtar në eksportin shtetëror të qymyrit. Qeveria e Kinës botoi të dhënat doganore, sipas të cilave shifra zyrtare e eksportit të qymyrit të Mongolisë në Kinë rezultonte të ishte 6,5 milion ton më e vogël nga shifra zyrtare e eksportit të qymyrit, që kishte raportuar kompania shtetërore e qymyrit dhe qeveria mongole për eksportin e saj në Kinë. Mungonin dhe ishin vjedhur 6,5 milion ton qymyr me vlerë 13 miliard dollarë, të cilën disa burime vendase e çojnë deri në 17 miliard dollarë. Nuk do shumë mend për të kuptuar se një megavjedhje e tillë prej 13 miliard dollarësh e qymyrit shtetëror nuk është punë vetëm e drejtuesve të kompanisë shtetërore të qymyrit, por është implikim i drejtpërdrejtë i emrave kryesorë të qeverisë. Siç u detyrua të pohojë kryetari i parlamentit mongol në 7 dhjetor “korrupsion dhe vjedhje të qymyrit ka në të gjitha nivelet”.

 Dalja në dritë e një skandali të megavjedhjes së qymyrit shtetëror ndezi reagimin  dhe urrejtjen popullore dhe protestuesit, që dolën në një temperaturë minus 20 gradë, kërkonin emrat dhe ndëshkimin e zyrtarëve të lartë të përfshirë. Duke mos marrë përgjigje nga qeveria, protestuesit sulmuan ndërtesën e parlamentit dhe të qeverisë, por policia i shpërndau me dhunë. Qeveria u përpoq ta fshihte dhe ta minimizonte skandalin e vjedhjes shtetërore, duke e pranuar vjedhjen, por duke deklaruar se janë vjedhur vetëm 385 mijë ton qymyr.

Demokracia postkomuniste u ka mësuar zyrtarëve të lartë të shteteve ish-komuniste taktikën e re  interesante të mbylljes së skandaleve me ngritjen e të ashtuquajturave komisione hetimore. Në datën 7 dhjetor parlamenti mongol e ngriti një komision të tillë. Natyrisht, siç ka ndodhur edhe në shtete të tjera ish-komuniste, do të gjejnë ca peshq të vegjël për t’i dënuar, kurse peshqit e mëdhenj të qeverisë do të gëzojnë në qetësi miliardat e vjedhura.

Pra shteti i dytë më i vjetër komunist i botës dështoi t’i edukojë zyrtarëve të vet parimet puriste komuniste të njeriut të ri. Mirëpo realiteti historik tregon se fenomenin mongol të megavjedhjeve shtetërore dhe të korrupsionit kulmor zyrtar dhe të pasurimit të udhëheqësve të rij nga proletarë në miliarderë me pasuritë dhe me postet shtetërore, e kemi në të gjitha shtetet ish-komuniste, nga Mongolia deri në Shqipëri.

Natyrshëm lind pyetja e shekullit: Përse udhëheqësit e gjitha vendeve ish-komuniste e kanë dorën shumë të gjatë?

A shpjegohet kjo nga varfëria e njëjtë, nga ideologjia e njëjtë, nga  origjina apo nga gjenetika?

Forum Shaban Murati