
Diplomatët kinezë kanë sinjalizuar në mënyrë jo zyrtare, se duan të përmirësojnë marrëdhëniet me vendet perëndimore dhe të largohen nga Rusia, sipas një raporti në Financial Times.
Sipas artikullit të Financial Times, Pekini “jo zyrtarisht” po përpiqet të bindë partnerët e tij evropianë se është gati të përdorë ndikimin e tij për të penguar Rusinë nga përdorimi i armëve bërthamore, të veprojë si një “paqeruajtës” i mundshëm dhe të ndihmojë në rindërtimin e Ukrainës pas luftës.
Vetë Xi u përpoq ta portretizonte veten si në anën e paqes në komentet që i bëri Putinit në fund të muajit të kaluar.
“Rruga drejt bisedimeve të paqes nuk do të jetë e qetë, por për sa kohë që përpjekjet nuk hiqen, perspektiva e paqes do të ekzistojë gjithmonë. Kina do të vazhdojë të mbajë një qëndrim objektiv dhe të drejtë, të punojë për të bashkuar komunitetin ndërkombëtar dhe të luajë një rol konstruktiv në zgjidhjen paqësore të krizës ukrainase ” tha Xi.
Nga një këndvështrim diplomatik, qëllimi kryesor i Kinës është të përmirësojë marrëdhëniet me disa vende në perëndim, pas një periudhe që e ka lënë Pekinin të ndihet i izoluar. Fokusi është në lidhjet me Evropën, të cilat janë dëmtuar rëndë nga mbështetja e Kinës për partnerin e saj Rusinë gjatë gjithë luftës së Moskës kundër Ukrainës.
“Diplomatikisht, Pekini shpreson se nuk do të bëhet rival i çdo vendi në perëndim dhe as nuk dëshiron të duket i izoluar në forume shumëpalëshe. Aventura e lëkundur ushtarake e Rusisë në Ukrainë ka reduktuar ndjeshëm kthimin e investimeve të Pekinit në lidhjet e tij dypalëshe me Moskën,” thotë Yu Jie, një ekspert i Kinës në institutin britanik Chatham House.
Gjithashtu Pekini po këmbëngul që homologët e tij evropianë të bien dakord të përsërisin një mantrë “jo shkëputjeje”, duke shënuar një dallim të qartë me Uashingtonin, i cili po kërkon të kufizojë lidhjet tregtare të SHBA me Kinën në zona të caktuara, veçanërisht me në lidhje me teknologjitë e ndjeshme.
“Kina e ka kuptuar se ka antagonizuar shumë vende në të njëjtën kohë, veçanërisht midis vendeve të zhvilluara, të cilat ende sot janë partnerët e saj kryesorë tregtarë dhe ekonomikë. Kështu që po përpiqet shumë fort t’i afrohet BE-së dhe vendeve kyçe evropiane – Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës – si dhe aleatëve aziatikë të Amerikës, si Japonia dhe Koreja e Jugut dhe partnerët e SHBA-së si Vietnami” tha Jean-Pierre Cabestan, një ekspert i Kinës në Universitetin Baptist të Hong Kongut.
BE-ja është partneri më i madh tregtar i Kinës dhe Pekini ka një suficit të madh tregtar me bllokun. Në mënyrë të ngjashme, disa nga kompanitë kryesore evropiane renditen ndër investitorët më të mëdhenj të huaj të Kinës. Dëshira e Kinës për një rivendosje diplomatike me Evropën duket se po jep rezultate të rëndësishme.
Vizitat në Pekin në nëntor nga Olaf Scholz, kancelari gjerman, dhe Charles Michel, presidenti i Këshillit Evropian, do të pasohen në fillim të këtij viti nga vizitat e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni.
Macron pritet të ndjekë Scholz-in për të shprehur kundërshtimin ndaj “shkëputjes” nga Kina, duke i lënë kështu Pekinit një terren në strategjinë e tij afatgjatë për të mbjellë ndarje midis fuqive evropiane dhe SHBA./ Financila Times