
Pse zgjodhe Shqipërinë dhe jo Greqinë? Tomas Strakosha: Jam shqiptar dhe i tregoj botës se ia dalim, çfarë më tha Bufoni
Tomas Strakosha është portieri më i ri i Brentfordit në Premier Ligë. Shtatëlarti i Kombëtares la Lacion pas 10 vitesh, duke kaluar si transferim i lirë në Angli.
Te skuadra e re janë kuriozë të zbulojnë 27-vjeçarin shqiptar, teksa nga grumbullimi me ekipin e kanë pyetur se përse nuk zgjodhi Greqinë.
“Përse zgjodha Shqipërinë dhe jo Greqinë? E dua Greqinë, kam lindur atje. Është një shtet i mrekullueshëm. Por prindërit e mi janë shqiptarë, unë ndihem shqiptar dhe e dua origjinën time. Babai im ka qenë kapiteni i Kombëtares, kjo është një gjë e madhe. E adhuroj shumë për atë që ai ka bërë, sidomos në kohët e vështira të atëhershme. Kështu që jam i nderuar të jem në Kombëtare”, tha Strakosha.
Gjithashtu Strakosha ka komentuar edhe lidhjen e tij me Bufonin, duke treguar se legjenda e Italisë e respekton dhe i ka uruar fat në karrierë.
“Bufon? Bufoni më ka dhënë gjithmonë respektin e tij. Më pëlqente si një portier i gjeneratës së re. Më uroi që të bëhesha si ai, të bëja 1000 ndeshje. Le të shpresojmë”, tha Strakosha mes të tjerash.