
Asociacioni do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës…
Prezantohet drafti për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Ai është hartuar nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung në bashkëpunim me Institutin Evropian për Paqe dhe aty hidhen piketat se si do të formohet kjo ndarje e re në territorin e Kosovës.
Drafti përmban 7 kapituj dhe 18 nene. Në fillim të këtij dokumentit të propozuar nga FES thuhet se ky mekanizëm themelohet në bazë të Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë të Parimeve për Normalizimi i Marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Në pikën e dytë të nenit të parë theksohet se statuti i asociacionit është akti më i lartë juridik i këtij mekanizmi ndërsa miratohet nga Kuvendi Themelues i këtij asociacioni.
Ndërsa në pikën tre të nenit të parë theksohet edhe një gjë shumë e rëndësishme. Aty theksohet se statuti duhet të miratohet edhe nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe më pas do të marrë aprovimin edhe nga Gjykata Kushtetuese.
“Statuti do të miratohet me akt juridik të Qeverisë së Kosovës dhe do të marrë fuqinë e një rregulloreje të Qeverisë sipas sistemit juridik të Kosovës pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese”, thuhet në këtë pikë.
Një nga dilemat më të mëdha që është ngritur gjithmonë në Kosovë është fakti se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, do të jetë nivel i tretë i pushtetit në Kosovë. Kjo çështje në draftin e statutit të hartuar nga FES është trajtuar në nenin katër.
Aty thuhet se asociacioni në asnjë mënyrë nuk do zëvendësojë apo cenojë kushtetutshmërinë dhe marrëdhëniet ndërmjet autoriteteve qendrore dhe atyre lokale në Republikën e Kosovës.
Më tej theksohet se Asociacioni/Bashkësia do të ketë simbolet e veta zyrtare, duke përfshirë stemën dhe flamurin, të cilat do të dizajnohen nga Bordi i Asociacionit/Bashkësisë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverisje Lokale.
Asociacioni, sipas dokumentit të prezantuar, do të ketë të drejta të plota në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e edukimit, planifikimit urban, si dhe rural.
“Asociacioni ka të drejtë të ketë buxhet të tijin, llogari bankare, prona, si dhe të angazhohet në transaksione financiare”, thuhet po ashtu në draft-statutin e prezantuar nga Friedrich-Ebert-Stiftung.
Një ndër nenet flet edhe për objektivat e Asociacionit, të cilat, siç thuhet, janë: forcimi i demokracisë lokale, duke lehtësuar, financuar ose promovuar aktivitete që avancojnë pjesëmarrjen qytetare dhe praktikat demokratike, si dhe përfaqësimi i interesave të rëndësishme për demokracinë lokale.
Në draft-statut thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe kompetenca të tjera shtesë, që mund të delegohen nga autoritetet qendrore, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
Sa i takon strukturës organizative, neni 6 parasheh që Asociacioni të ketë: Kuvendin e Asociacionit, kryetarin e Asociacionit, nënkryetarin e Asociacionit, këshillin e Asociacionit dhe bordin e Asociacionit.
Për të lexuar draftin e plotë klikoni KËTU
Lexo edhe:
Si do të formohet Asociacioni i komunave serbe? Publikohet drafti paraprak