Bota26 Shkurt 2022, 07:15

Pushtimi i Ukrainës: A është kjo një tjetër Luftë e Ftohtë?!

Shkruar nga Pamfleti
Pushtimi i Ukrainës: A është kjo një tjetër Luftë

Pushtimi i Ukrainës: A është kjo një tjetër Luftë e Ftohtë?!

Kjo duket shumë si fundi i një epoke. Në nëntor 1989, kur ra Muri i Berlinit, ne besuam se ndarja e vjetër e botës në Lindje kundër Perëndimit ishte vetëm histori. Për shkak se konflikti ideologjik midis kapitalizmit dhe komunizmit kishte avulluar, kishte një ndjenjë se ne të gjithë ishim në të njëjtën anë.

Shkruan John Simpson, BBC News

Problemi është se për Vladimir Putin, oficerin e dikurshëm të KGB-së me qendër në Gjermaninë Lindore, rënia e Bashkimit të vjetër Sovjetik qenka shndërruar në një pakënaqësi të hidhur personale, e cila u përkeqësua me kalimin e viteve. Fakti që Ukraina, dikur një pjesë kyçe e BRSS, u shkëput nga Federata Ruse, ishte një fyerje për gjithçka në të cilën Putini besonte.

Nuk kishte rëndësi që Rusia kishte nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare që pranonte kufijtë e shtetit të ri ukrainas. Në vitin 2014, presidenti Putin e pa të udhës të merrte nën kontroll Krimenë, pjesën më simbolike ruse të Ukrainës, duke depërtuar ushtarët e tij në gadishull.

Fillimisht e bllokuan dhe pasi mbajtën një referendum me pjesëmarrje kryesisht të popullsisë etnike ruse, Putini dhe mbështetësit e tij e kthyen Krimenë efektivisht në pjesë të shtetit rus. Ishte kundër ligjit ndërkombëtar, por Perëndimi ende mbeti pas nocionit se mund të bënte biznes me Rusinë e Putinit.

Pati fjalime dhe sanksione, por asgjë që e bëri Presidentin Putin ose bashkëpunëtorët e tij të rishihnin edhe njëherë në mënyrë serioze qendrimin e tyre.

E njëjta gjë ndodhi edhe kur armiqtë e Putinit, ose njerëzit e vjetër KGB dhe pasardhësi i saj FSB, të konsideruar si tradhtarë, u helmuan, u pushkatuan ose u asgjësuan në Britani dhe Evropë. Perëndimi lëshoi ​​paralajmërime dhe vendosi sanksione të reja, por Rusia e Putinit ishte e përgatitur të jetonte me to.

Në 10 vitet e fundit, Rusia filloi të formojë një bllok të ri me Kinën – jo domosdoshmërisht armiqësor ndaj Perëndimit, por duke ofruar mbështetje për njëra-tjetrën përballë kritikave Perëndimore.

Presidenti Xi Jinping dhe Presidenti Putin krijuan një grup mbështetjeje të ndërsjelltë. Tani Kina po refuzon të dënojë Rusinë për veprimet e saj në Ukrainë, dhe njerëzit në Tajvan, territori i shkëputur të cilin Xi Jinping gjithmonë ka refuzuar të thotë se nuk do ta pushtojë, kanë filluar të pyesin nëse më pas do të jetë radha e tyre.

Në përgjithësi, tashmë bota është një vend shumë më shqetësues sesa ishte disa vite më parë. Për krahasim, vitet e vjetra të Luftës së Ftohtë ishin shumë më të thjeshta, dhe në pjesën më të madhe rregullat ishin shumë më të qarta – nëse njëra palë ndërhynte në hapësirën e tjetrës, ekzistonte kërcënimi i shkatërrimit në masë i siguruar reciprokisht nga veprimet e dy palëve. Pra, nuk ndodhi kurrë, edhe pse lufta u mbyll në mënyrë të pakëndshme më shumë se një herë.

Por pas rënies së komunizmit, libri i vjetër i rregullave u gris. Tashmë kufijtë janë kaq të paqartë, saqë askush nuk e di se ku shkojnë vijat e kuqe.

Në një kthim pas, janë të shumtë politikanët por edhe akademikë që thonë se ndoshta NATO duhet të kishte ndryshuar të gjithë qasjen e saj pas rënies së Murit të Berlinit – ajo duhet të kishte shmangur poshtërimin duke i marrë Moskës satelitët e saj të vjetër në Evropën Lindore. Duhej të evitonte rreshtimin e tyre në një mënyrë që Rusisë së Putinit i dukej si konfrontuese.

Thjesht sugjerimi se Ukraina mund të bashkohet një ditë me NATO-n (edhe pse gjithmonë është konsideruar si e pamundur) tërboi Kremlinin dhe ndihmoi të bindë Putinin se ai duhet të merret me Ukrainën një herë e përgjithmonë.

Të gjithë e dinë se kjo është politika e tij dhe vetëm e tij. Politikanë të ndryshëm rusë dhe madje disa figura kryesore ushtarake dolën paraprakisht kundër çdo pushtimi. Por Putini nuk do të shmanget. Tani duhet të ketë sukses, dhe Rusia do të dalë si fituesja e qartë, nëse hedhja e tij e zareve do të fitonte ndeshjen. Megjithatë, aventurat ushtarake me një rrezikshmëri të këtyre përmasave kanë jashtëzakonisht shance të larta që të shkojnë keq.

Putin pati sukses në Krime, 8 vjet më parë, dhe pozicioni i tij në vend u përforcua shumë. Ndoshta ai do të ketë sukses përsëri, duke kaluar nëpër forcat e armatosura të Ukrainës, dhe arritur disa suksese të rëndësishme, e pastaj të tërhiqet shpejt dhe të mbajë një paradë fitoreje.

Gjithçka është e mundur. Por, po në qoftë se gjërat nuk ndodhin në mënyrën si e perceptuam më sipër?! Nëse ushtarët rusë fillojnë të vdesin në një numër të konsiderueshëm dhe sanksionet kundër Rusisë fillojnë të kenë efekt, atëhere në vetë pozitat ku ndodhet, Putini do të vuajë.

Por, çfarë do të bëjë ai atëherë? Ka vetëm një përgjigje – ai do të shtypë çdo kritikë të brendshme edhe më fort se sa ka bërë, në emër të sigurisë kombëtare. Rusia është edhe tani që flasim, një shoqëri çuditërisht e hapur në krahasim me të kaluarën.

Konflikti në Ukrainë me siguri do të merrte fund. Ekonomia ruse do të vuante dhe ndihma kineze nuk do të kompensonte humbjen.

Pra, Vladimir Putin, i cili duket se ka nisur sulmin e tij ndaj Ukrainës për shkak të pakënaqësisë së tij 30-vjeçare për rënien e perandorisë së vjetër sovjetike, mund ta kthejë Rusinë përsëri në ditët e BRSS. Dhe Perëndimi, i cili është përpjekur për kaq shumë kohë të pretendojë se Rusia është vetëm një vend tjetër me të cilin mund të bëjmë biznes, mund të zbulojë se kohët e vjetra janë kthyer papritur për hakmarrje./Pamfleti

Bota #pushtimi i Ukraines lufte e ftohte Putin Rusi SHBA