Bota23 Shtator 2022, 12:44

Putin, Haga po të pret!

Shkruar nga Pamfleti

Në qendër të kryeqytetit të Lituanisë, Vilnius, një banderolë e madhe është vendosur në një ndërtesë të lartë, mbi një flamur ukrainas, ku shkruhet: “Putin, Haga po të pret”.

Koha e Putin përfundoi!

Në autobusët e qytetit, në ekranet elektronike, dashuria për Ukrainën shfaqet përmes zemrave të vogla. Këtë javë Lituania së bashku me Letoninë, Estoninë dhe Poloninë ndaluan të gjithë turistët rusë, duke argumentuar se ata nuk duhet të gëzojnë demokracinë dhe lirinë në Evropë, ndërsa qeveria e tyre sulmon pikërisht këto vlera në Ukrainë. Ky veprim ka ngritur shqetësime në mesin e aktivistëve të opozitës ruse, tashmë jashtë vendit.

“Është e çuditshme, si mund t’i ndalosh njerëzit vetëm se ata janë rusë, pavarësisht nëse ata mbështesin apo jo regjimin e Putinit”, argumenton Anastasia Shevchenko, një aktiviste që kaloi dy vjet në arrest shtëpie për protesta kundër presidentit rus.

Kur Rusia pushtoi Ukrainën, ajo po vuante një dënim me kusht dhe një veprim i gabuar, madje edhe një koment kundër luftës, mund ta kishte lënë atë pas hekurave. Por Anastasia nuk duroi dot të heshtë, ndaj bashkë me familjen ata ikën në mes të natës për në Lituani.

“Ajo që po ndodh tani në Rusi është si një frikë totale,” më thotë Anastasia, në Vilnius. “Shumë njerëz janë të frikësuar sepse ne e dimë se ata mund të bëjnë gjithçka. Nuk është vetëm burg, apo gjoba: mund të vritesh ose të helmohesh. Është si një burg i madh. I gjithë vendi.”

Vladimir Putin ka shpallur një mobilizim të pjesshëm të rezervistëve rusë, testi i parë i vërtetë i mbështetjes për pushtimin e tij. Shenjat e hershme nuk tregojnë mbështetje për Putin. Protestuesit dolën në disa qytete duke thirrur “jo luftë!”. Më shumë se një mijë njerëz u arrestuan.

Ndërsa radhët për të hyrë në Finlandë po rriten, Letonia dhe Estonia thonë se ikja nga regjistrimi nuk është arsye për azil. Lituania do t’i shqyrtojë rastet individualisht, por kryeministri sqaroi se “nuk ishte detyrë e vendeve të tjera të shpëtonin rusët që ikin nga mobilizimi”. Shumë në fakt tani po kërkojnë nga Ukraina për të bërë atë që nuk mund ta arrinin në mënyrë paqësore brenda Rusisë: të mundnin Putinin.

“Putini kreu gabimin e tij më të rëndë kur pushtoi Ukrainën. Unë besoj se ai uli në mënyrë dramatike kohëzgjatjen e mbretërimit të tij,” thotë krahu i djathtë i zotit Navalny, Leonid Volkov. Thirrja e kësaj jave e ka konfirmuar këtë besim, pasi videot e burrave që u thonë lamtumirë familjeve të tyre me lot shfaqen në të gjithë vendin.

Përveç thirrjes, ekziston edhe kërcënimi i tij për të aneksuar më shumë tokë ukrainase dhe një tjetër paralajmërim bërthamor për Perëndimin. Presidenti i Rusisë ka vendosur një shumë të madhe në këtë fushatë dhe gjërat mund të shkojnë shumë më keq.

Kjo e lë aktivisten Anastasia Shevchenko të luftojë me ndjenjën e fajit se nuk mund të bënte më shumë për ta ndaluar atë.

“Fajësoj veten dhe nuk është një ndjenjë e mirë, më besoni”, pranon ajo.

Por vendimi i saj për t’u larguar nga Rusia u vulos kur djali i saj duhej t’u shkruante një letër ushtarëve në shkollën e tij fillore, duke u uruar atyre fitoren.

Në vend të kësaj, ai u tha atyre se nuk kishin të drejtë të luftonin me fqinjët e tyre.

“Unë mendoj se gjithçka që mund të bëjmë tani është të kërkojmë falje dhe të protestojmë kundër Vladimir Putin,” thotë Anastasia. “Sepse Putini është arsyeja për atë që po ndodh. Pse kaq shumë njerëz po vdesin.”/BBC


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Bota Haga Vladimir Putin