
Putin i turret Ballkanit, Shqipëria e Madhe tmerron Moskën, nis lëvizjet për të bllokuar njohjen e Kosovës
Moska ka shtuar tentativat për të rritur ndikimin në Ballkan. Prej muajsh zyrtarët më të lartë të NATO dhe SHBA kanë dhënë alarmin se Rusia po bën ç’është e mundur që të shtrijnë ndikimin e saj në vendet e rajonit. Por nga ana tjetër dhe SHBA po kundërpërgjigjet, me qëllim që të minimizojë këtë ndikim.
Por dje Moska ka bërë një lëvizje surprizë. Sipas mediave kosovare, një aeroplan IL96 400 VPU fluturoi dje nga aeroporti i Moskës “Vnukovo” në Beograd, duke transportuar si pasagjer Drejtorin e Shërbimit të gjithëpushtetshëm të Informacioneve të Huaja “SVR”, Sergei Naryshkin.
Ushtaraku rus do të bëjë një sërë takimesh me udhëheqjen më të lartë të vendit, me drejtuesit e Forcave të Armatosura, si dhe me drejtuesit e Shërbimeve Sekrete të Serbisë, me temë: Kosovën dhe përpjekjet për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Vizita e tij ka alarmuar shërbimet inteligjente në Kosovë dhe ato ndërkombëtare.
Kjo konfirmohet nga Ministria e Jashtme e Britanisë, e cila paralajmëroi shtetasit e saj për të mos udhëtuar në Kosovën e Veriut, pasi vlerësohet se mund të ketë përplasje të mundshme. Pra duket se Moska po përdor të gjitha letrat që ka në dorë për të destabilizuar Ballkanin dhe për të mos lejuar pavarësinë e Kosovës. SHBA ka nisur lëvizjet për të gjetur një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës dhe sinjalet janë se kjo është gati. Thaçi, Vuçiç e Trump po punojnë për të korrigjuar kufijtë dhe më pas Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës.
Kjo gjë do të mundësojë që në një të ardhme Shqipëria e Kosova të bëhen një shtet. Kjo si duket ka alarmuar Moskën, e cila ka nisur lëvizjet për të bllokuar një skenar të tillë. Zyrtari i saj që ka ardhur në Serbi është përgjegjës për çështjet e jashtme dhe po shihet me shumë shqetësim. Ndërkohë javën që vjen në Kosovë dhe në vende të tjera të rajonit do të vijë zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Matheë Palmer, i cili pritet që të vulosë paktin mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndikimi rus
Ndikimi rus është rritur ndjeshëm muajt e fundit në Ballkan dhe veçanërisht në vendin tonë. Në Maqedoni, Mal të Zi e Serbi dihet se operojnë agjenturat ruse. Në Maqedoni Gruevski ishte njeri i tyre, ndërsa në Mal të Zi u tentua manipulimi i zgjedhjeve. Ndërkohë në Serbi Vuçiç ka devijuar nga linja e tyre edhe Moska duket se mbështet opozitën për ta rrëzuar.
Opozita në Beograd po proteston njësoj si opozita jonë dhe sinjalet janë se dhe në vendin tonë fshihet Rusia. Vetë kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, pak ditë më parë deklaroi se Rusia ka rritur tentativat për të ndikuar në punët e brendshme, sidomos në administratë. Por ka shumë zyrtarë të lartë që kanë lëshuar akuza se dhe pas protestave të PD e LSI fshihet Moska. Ish-nëndrejtori i FBI, Mark Rossini, ka dhënë alarmin pak ditë më parë përmes rrjeteve sociale se frenat e protestës i ka marrë Sali Berisha me urdhër të rusëve.
Sipas tij, ish-kryeministri është njeriu i Putinit në Ballkan dhe gjithçka po bëhet për interes të Moskës. Madje ai ka ngritur alarmin se nëse Berisha rimerr pushtetin, atëherë Rusia do marrë kontrollin në Tiranë dhe Prishtinë. “Protestat që po ndodhin sot janë të thirrura nga Sali Berisha i ndikuar nga Rusia. Ai dhe familja e tij e kanë humbur fuqinë. Nëse SB merr pushtetin, Putini do të kalojë nëpër Kosovë dhe Shqipëri. Putini merr qasje në portin e Adriatikut”, ka thënë ai, duke konfirmuar atë që gazeta “Sot” e kishte thënë prej ditësh.