Bota19 Korrik 2022, 11:10

Putin me miq të rinj në Iran!

Shkruar nga Pamfleti
Putin me miq të rinj në Iran!

Putin me miq të rinj në Iran!

Eshtë udhëtimi i tij i dytë jashtë vendit që nga sulmi ndaj Ukrainës më 24 shkurt: Presidenti i Rusisë Vladimir Putin viziton presidentin iranian Ebrahim Raisi. Thënë më saktë ky do të jetë një takim tresh, në të cilin do të marrë pjesë edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, që pritet në Teheran. Krerët e shteteve duan të bisedojnë për gjendjen në vendin e përfshirë nga lufta civile,  Sirinë, ku si Irani edhe Rusia e po ashtu edhe Turqia janë angazhuar fort ushtarakisht.

Takimi i ofron Moskës dhe Teheranit, të dy vendet të prekura nga sanksionet e rrepta perëndimore, edhe një mundësi për të demonstruar bashkëpunimin e tyre ushtarak dhe ekonomik dhe për t’i treguar Perëndimit, se nuk janë të izoluar.

Irani me gjasë furnizon Rusinë me dronë

Të shtunën (16.07) presidenti i SHBA-së, Joe Biden, përfundoi vizitën e tij në Lindjen e Mesme, ku u fol edhe për programin atomik iranian. Shtëpia e Bardhë sërish paralajmëroi, se Irani do t‘i shesë  Rusisë dronë të armatosur për ndërhyrjen në Ukrainë. Teherani reagoi duke theksuar, se bashkëpunimi teknologjik me Rusinë ka nisur shumë kohë përpara luftës. Por pretendimi i SHBA-së me këtë as nuk u konfirmua dhe as nuk u përgënjeshtrua.

Faktikisht Republika Islamike dhe Kremlini kanë gjetur një bazë për marrëdhëniet e tyre, ndërkohë që përfaqësuesit e të dy vendeve vazhdimisht përsërisin, se janë duke peshuar edhe mundësi të tjera bashkëpunimi ekonomik dhe politik.

Në kulmin e rritjes së izolimit diplomatik një tregti e përforcuar me Rusinë mund ta lehtësojë ekonominë iraniane, që prej vitesh vuan nga sanksionet e SHBA-së për naftën dhe financat. Rusia nga ana tjetër e sheh Iranin si një furnizues të mundshëm armësh, që gjithashtu ofron rrugë tregtare si dhe përvojë në devijimin e sanksioneve e në eksportin e naftës.

Lufta në Ukrainë ndryshon vlerësimin reciprok

Partneriteti ushtarak mes Teheranit dhe Moskës është zhvilluar me shpërthimin prej dekadash të konfliktit në Siri. Megjithatë ky partneritet „kryesisht ka mbetur në nivelin e një bashkëpunimi taktik në fushat me interes të përbashkët në rajon”, sikurse thotë për DW Abdolrasool Divsallar, profesor për studimet mbi Lindjen e Mesme pranë universitetit në Milano Università Cattolica del Sacro Cuore.

Konkurrentë në tregun e energjisë

Vitin e kaluar tregtia mes dy vendeve u rrit me 81 përqind, konstatoi Putin, kur u takua muajnin e kaluar në Turkmenistan me presidentin iranian Raisi në kuadër të një samiti rajonal. Por politika energjetike i rëndon marrëdhëniet mes dy vendeve. “Rusia dhe Irani janë faktikisht konkurrentë tregtarë, kryesisht në tregun e energjisë”, thekson në bisedë për DW Hamidreza Azizi, studiues në fondacionin e Berlinit „Shkenca dhe Politika (SWP). Ndërkohë duket se Irani mund të humbasë kuotën e vet gjithësesi të pakët në tregun e energjisë kundrejt naftës ruse, që aktualisht po shitet me çmime nën nivel.

Gjatë tre muajve të fundit p.sh. eksportet mujore të derivateve të naftës nga 430.000 ton janë ulur në 330.000 ton, i tha sekretari i përgjithshëm iranian i OPEX Hamid Hosseini në fund të qershorit agjencisë Iranian Labor News Agency (ILNA). Po ashtu blerësit më të mëdhenj të çelikut në Iran, ndër to Kina dhe Koreja e Jugut, gjithashtu kanë filluar të blejnë çelikun rus me çmim të ulët, sikurse njofton gazeta iraniane “Shargh”.

Sanktionet i kufizojnë ndjeshëm të ardhurat e Iranit, ndaj të ardhurat nga eksportet e naftës janë me rëndësi jetike për vendin që vuan peshën e sanksioneve të rënda ekonomike. Kuota e inflacionit është mbi 50 përqind, e megjithatë Irani u detyrua të ulte edhe më tej çmimet e veta të naftës, për të konkurruar naftën ruse.

Irani dhe Rusia ende nuk janë aleatë

Në mars Rusia për pak do t’i kishte sabotuar bisedimet në Vjenë për programin bërthamor të Iranit, që do të kishte mundësuar zbutjen e disa prej sanksioneve ndaj ekonomisë iraniane. Bisedimet në pranverë dukej se po sillnin lëvizjet drejt një marrëveshjeje, kur ndërmjetësuesit rusë kërkuan, që tregtia e tyre me Iranin të shkëputej prej sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

“Irani dhe Russia ende nuk janë aleatë”, thekson profesori në Milano Divsallar. “Irani ka ngurruar, të dënojë invazionin në Ukrainë, por më pas në mënyrë të përsëritur është shprehur kundër luftës, gjë që e largon atë dukshëm nga pozicioni i të qenit aleat.” Teherani i ka refuzuar luftrat kudo në botë, i tha ministri i Jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian homologut të tij ukrainas Dmytro Kuleba, sipas njoftimit të agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve MEHR.

Irani ka nevojë për Rusinë …

Iranit nuk i duhet të mbështesë përpjekjet e Rusisë në Ukrainë, për t’u afruar me Moskën, argumenton Divsallar. Teherani ka të tjera motive për kursin pro rus. Në sfondin e mbetjes pezull të bisedimeve për programin bërthamor „Irani do ndoshta vetëm t’i tregojë Perëndimit, se ka një alternativë, që të ketë influencë përtej Lindjes së Mesme”.

Politologu nga Berlini Azizi vëren, se afrimi mes Iranit dhe Rusisë konsiston në një botëkuptim të përbashkët dhe ky është thelluar gjithnnjë e më shumë në dekadat e shkuara. “Të dy vendet pozicionohen kundër supremacisë së SHBA-së në raportet ndërkombëtare dhe ndajnë bashkë përpjekjet për t’iu kundërvënë kësaj.”

Përveç kësaj tensionet mes Iranit dhe fuqive perëndimore që prej themelimit të Republikës Islamike në vitin 1979 janë rritur vazhdimisht. Këto tensione kronike nuk do të shmangen së shpejti, thotë Azizi, përkundrazi ato do të bëjnë që Irani të orientohet edhe më shumë në Lindje

… për aq kohë, derisa të zbuten sanksionet. Ndryshe nga Azizi, Divsallar mendon, se riaktivizimi i bisedimeve për programin bërthamor iranian dhe si rrjedhojë zbutja e sanksioneve mund t’i kufizojnë marrëdhëniet mes Iranit dhe Rusisë, duke i dhënë mundësi këtij vendi që të krijojë marrëdhënie të reja tregtare me Perëndimin.

Lidhur me politikën ndaj Rusisë motivet e Iranit duhen shpjeguar me „nevojat emergjente ekonomike dhe mungesën e alternativave”, thotë Divsallar. “Irani nuk mund të heqë dorë nga marrëdhëniet me fuqitë lindore si Rusia, për aq kohë sa nuk ka alternativë në Perëndim.”/DW

Bota Iran miq të rinj Putin vizita