
Sulmet ruse, G7 premton 20 mln dollarë për të mbështetur Ukrainën
Udhëheqësit e G7 — ekonomive më të industrializuara në botë — kanë njoftuar planet për të ndaluar importin e naftës ruse si formë ndëshkimi ndaj Vladimir Putinit pas pushtimit të Ukrainës.
Përmes një deklarate të përbashkët, Grupi – i cili përfshin dhe Shtetet e Bashkuara – ka qenë unison në qëndrimin se “Putini nuk duhet ta fitojë luftën” në Ukrainë.
“Ne mbetemi të bashkuar në vendimin tonë se Presidenti Putin nuk duhet të fitojë këtë luftë kundër Ukrainës. Ne i detyrohemi kujtimit të atyre që luftuan për lirinë në Luftën e Dytë Botërore, të vazhdojmë të luftojmë për të sot, për popullin e Ukrainës, Evropën dhe komunitetin global”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu, këtë të diel u ndërmorën disa vendime tepër të rëndësishme sa i përket një liste të re sanksionesh kundër Rusisë.
“Së pari, ne angazhohemi të heqim gradualisht varësinë tonë nga energjia ruse, duke përfshirë heqjen ose ndalimin e importit të naftës ruse. Do të sigurojmë që ta bëjmë këtë në kohën e duhur dhe në mënyra që ofrojnë kohë për botën për të siguruar furnizime alternative. Ndërsa e bëjmë këtë, ne do të punojmë së bashku dhe me partnerët tanë për të siguruar furnizime të qëndrueshme globale të energjisë dhe çmime të përballueshme për konsumatorët, duke përfshirë përshpejtimin e reduktimit të varësisë sonë të përgjithshme nga lëndët djegëse fosile dhe kalimin tonë drejt energjisë së pastër në përputhje me objektivat tona klimatike”, thuhet mes të tjerash në deklaratën e G7, raporton Daily Mail.
Ndër të tjera, G7 ra dakord që të “vazhdojnë përpjekjet për të përforcuar sanksionet që synojnë të gjymtojnë aftësinë e qeverisë ruse për të vazhduar agresionin e saj kundër Ukrainës, gjithashtu do të vazhdojmë fushatën tonë kundër elitave financiare dhe anëtarëve të familjes, të cilët mbështesin Presidentin Putin në përpjekjet e tij të luftës dhe shpërdorojnë burimet e popullit rus.”
G7 përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA. Blerja e vazhdueshme e naftës dhe gazit rus nga shumë nga vendet e G7, aleatë ukrainas, përfshirë Gjermaninë, ka ngritur akuza se ata në mënyrë indirekte po financojnë përpjekjet e luftës kundër Putinit.