
Tërheqja nga Khersoni duket se ka lëkundur pozitat e Vladimir Putinit.
Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare në Birtani, Sir Mark Lyall-Grant paralajmëroi se tërheqja nga Kherson mund të rrisë pakënaqësinë mbi udhëheqjen e Presidentit Putin.
Ai i tha Sky News: “Brenda Rusisë, shumica dërrmuese e popullit rus po merr vetëm një version të së vërtetës, dhe ai është versioni i paraqitur nga Kremlini. Por, oligarkët rreth Presidentit Putin do ta kenë parë të vërtetën dhe mendoj se reputacioni i Putinit si njeri i ashpër dhe fitues ka marrë sigurisht një goditje të madhe”.
Ai shtoi se pushteti i Putinit mund të rrezikohet pas tërheqjeve të njëpasnjëshme nga Ukraina.
Kherson ishte qyteti më i madh që forcat ruse kishin mundur të pushtonin që nga fillimi i sulmit ushtarak në Ukrainë.
Ai u bë një nga katër rajonet e pushtuara, së bashku me Luhansk, Donetsk dhe Zaporizhzhia, të cilat Presidenti Putin u zotua t’i aneksonte zyrtarisht nën Federatën Ruse pas një serie referendumesh të rreme të organizuara nga zyrtarë të instaluar nga Kremlini.