Politike28 Qershor 2022, 11:22

Qershitë mbetën pa shitur, Rama: Fermerëve u mungon dija. Shihni Izraelin e mësoni

Shkruar nga Pamfleti
Qershitë mbetën pa shitur, Rama: Fermerëve u mungon dija. Shihni

Kryeministri Edi Rama, e ka cilësuar faktin që fermerët në vend hedhin produktet e tyre pasi nuk ka treg për shitje si mungesë të dijes dhe informacionit.

Në konferencën “Bujqësia me Teknologji dhe Inovacion”, kreu i qeverisë tha se dija luan një rol të rëndësishëm në këtë sektor. Rama iu referua hedhjes së qershive nga fermerët në vend, ndërsa si shembull solli fermerë të tjerë që kanë nxjerrë të ardhura po nga këto qershi. Për këtë kryeministri theksoi se ministria duhet të bëjë më shumë me transferimin e dijes.

“Edhe këtu në territorin e bujqësisë sonë ka jo pak shembuj zhvillimi dhe suksesi. E gjitha lidhet me dijen sepse vullnet për të punuar tokën ka. Ata që dalin në dalin në televizor duke mallkuar shtetin, nuk iu mungon vullneti apo djersa,  jo. Por ajo ca bën diferencën është dija, e cila lidhet me informacionin dhe këtu i takon qeverisë të bëjë edhe më shumë. Por i takon edhe vetë fermerëve të bëjnë më shumë.Nuk ka nevojë të na dëgjojë askush ne, mjafton të marri mundimin dhe të shikojë si bëjnë të tjerët. Dalin në tv pamjet e disa fermerëve që hedhin qershitë dhe bërtasin për subvencione dhe për qeverinë dhe kjo duhet të ishte shqetësuese në rast se  kështu do të ndodhte me të gjithë qershitë e Shqipërisë. Ndërkohë që ka të tjerë që po me këto qershi bëjnë sukses. Atëherë cili është dallim midis të parëve dhe të dytëve? Disa e hedhin dhe disa bëjnë të ardhura të larta. Atëherë çfarë duhet bërë? Ata fermerë duhet të marrin mundimin të shkojnë te ata të tjerët dhe të thonë ore si e bëni. Dhe e dyta i takon ministrisë që të ndërtojnë këto ura komunikimi për të transferuar dijen e krijuar nga njerëzit në territor”, tha ai.

Për tu dhënë këshilla fermerëve, Rama mori shembullin e Izraelit i cili sipas tij riciklon ujërat e zeza për vaditje edhe pse nuk ka ujë nga natyra.

“Izraeli nuk ka ujë nga zoti, nga natyra. Por është vendi me sistemin më ekselent të furnizimit me ujë dhe ujitjes në bujqësi. Pse sepse në mungesë të ujit dhe bollëkut të ujit si e kemi ne, ai ka investuar te mendja, te dija, te informacioni dhe ka arritur të transformojë një mungesë të madhe në një burim zhvillimi të jashtëzakonshëm duke e kthyer ujin e detit në ujë të ëmbël për të pirë dhe për të ujitur dhe duke ricikluar të gjitha ujërat e zeza për ujitje. Asnjë gram nuk shkon dëm. Ky është një shembull në territorin e bujqësisë sonë sot ka jo pak shembuj zhvillimi dhe suksesi përmes vënies së një vëmendje të veçantë te dija”, tha Rama.

Politike #Rama #Fermerët #Bujqësia