Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se para zgjedhjes së presidentit të ri duhet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme.
“Është tejet e rëndësishme që presidenti i ri të zgjedhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor. Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional”, thuhet në njoftimin e VV-së pas një takimi mes Albin Kurit dhe shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Ndërkohë, Tomas Szunyog ka kërkuar gjatë takimit se e dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, si edhe funksionimi i Kuvendit. Ndërsa Kurti u shpreh se duhet të rinisë dialogu me Serbinë, që të bëhet më i besueshëm.
Kujtojmë se pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaçi, Vjosa Osmani është përkohësisht presidentja e vendit deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Postimi i plotë
Sot, kryetari Lëvizjes VETËVENDOSJE!, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga ushtruesi i detyrës së Kryetarit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes, z. Liburn Aliu, dhe deputetja, znj. Fitore Pacolli, priti në takim Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, ambasadorin Tomas Szunyog, zëvendësin e tij, z. Riccardo Serri, dhe këshilltaren politike, znj. Blerta Bejtullahu.
Gjatë takimit u diskutua situata aktuale politike në Kosovë, dhe çështja e zgjedhjes së presidentit. Kryetari Kurti theksoi se është tejët e rëndësishme që presidenti i ri të zgjedhet pasi që të kenë folur qytetarët në një proces të ri demokratik zgjedhor. Kjo për arsye se qeveria e tanishme nuk ka legjitimitet dhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional. Kur nuk kemi keqqeverisje është mosqeverisje. Kjo qeveri nuk është në gjendje ta drejtojë vendin drejt zhvillimit ekonomik dhe integrimit në BE. Uniteti i korpusit politik vjen pas zgjedhjes së një qeverie me legjitimitet qytetar. Njëherë legjitimitet, pastaj unitet.
Të dyja palët u pajtuan se është e nevojshme dhe e dobishme që të vazhdojnë komunikimin dhe bashkëpunimin.