Sport23 Maj 2018, 17:04

Qeveria kërkon të ndalojë dhunën në kampionatin e “përdhunuar” shqiptar

Shkruar nga Pamfleti

Qeveria kërkon të ndalojë dhunën në kampionatin e "përdhunuar" shqiptar

Dhuna në futbollin tonë  ka detyruar Qeverinë Shqiptare të ndërmarrë masa konkrete duke mos e lënë në dorën e Komisionit të Disiplinës. Në mbledhjen e saj të zhvilluar ditën e sotme, Këshilli i Ministrave vendosi ngritjen e një Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës në Sport. Komisioni i cili do të kryesohet nga zv. Ministri i Arsimit dhe Sportit ka në përbërje 5 antarë dhe një sekretar. Mes anëtarëve është dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetin.

Episodi më i fundit i dhunës në futbollin shqiptar u shënuan në ndeshjen Shkumbini-Veleçiku, me një lojtar të skuadrës peqinase që goditi me grusht arbitrin e takimit, Klajdi Kola.


Për të rejat më të fundit behuni pjesë e grupit tonë VIRAL në facebook : PAMFLETI

Vendimi i plotë i marrë nga Këshilli i Ministrave:

PËRCAKTIMIN E PËRBËRJES, FUNKSIONIMIT, KOMPETENCAVE DHE MËNYRËS SË SHPËRBLIMIT TË ANËTARËVE TË KOMISIONIT KOMBËTAR KUNDËR DHUNËS NË SPORT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 54, të ligjit nr.79/2017, “Për sportin”, me propozimin e ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Përcaktimin e përbërjes strukturore të Komisionit Kombëtar Kundër Dhunës në Sport, i cili kryesohet nga zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe ka në përbërje 5 (pesë) anëtarë dhe 1 (një) koordinator/sekretar, si më poshtë vijon:

a) Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit anëtar;
b) Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Futbollit anëtar;
c) Një personalitet, përfaqësues i organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e luftës kundër dhunës në sport anëtar;
ç) Një personalitet, përfaqësues i institucioneve të arsimit të lartë në fushën e sportit anëtar;
d) Një gazetar sportiv anëtar;
dh) Një specialist nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë koordinator/sekretar.

2. Përbërja nominale e Komisionit Kombëtar Kundër Dhunës në Sport përcaktohet me urdhër të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.

3. Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës në Sport thirret nga zëvendësministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë jo më pak se 3 (tri) herë në vit.

4. Ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë miraton rregulloren e organizimit dhe të funksionimit të Komisionit Kombëtar Kundër Dhunës në Sport.

5. Komisioni Kombëtar Kundër Dhunës në Sport ka këto kompetenca:

a) Harton politikat për parandalimin e dhunës në veprimtaritë dhe shfaqjet sportive;
b) Është përgjegjës për monitorimin dhe zbatimin e Konventës së Këshillit të Evropës për një qasje të integruar për rendin, sigurinë dhe shërbimet në ndeshjet e futbollit dhe aktivitetet e tjera sportive;
c) Zhvillon konsultime dhe, sipas rastit, shkëmben informacion me organizatat përkatëse kundër dhunës në sport;
ç) Rekomandon masa të përshtatshme për ta mbajtur publikun të informuar lidhur me aktivitetet e ndërmarra;
d) Siguron mbledhjen, analizën dhe shkëmbimin e informacionit, përvojës dhe praktikave të mira;
dh) Propozon marrjen e masave të bashkërendimit për të identifikuar, analizuar dhe për të vlerësuar rreziqet lidhur me rendin, sigurinë, shërbimet e shkëmbimin e informacionit të përditësuar për vlerësimin e rrezikut;
e) Bën konsultime me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit e spektatorët;
ë) Vlerëson efektivitetin e procedurave të licencimit të stadiumeve, masat e certifikimit dhe rregulloret për rendin në përgjithësi dhe garanton zbatimin, monitorimin dhe ekzekutimin e tyre;
f) Siguron krijimin e një mjedisi përfshirës e mirëpritës për të gjitha moshat e shoqërisë, duke përfshirë fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara, veçanërisht, ofron mjedise të përshtatshme sanitare, freskimi dhe kushte të mira shikimi për të gjithë spektatorët;
g) Vlerëson masat operative të stadiumeve për të qenë të plota, siguron ndërlidhjen e efektshme me policinë, shërbimet e emergjencës dhe përfshin politika dhe procedura të qarta për çështjet që mund të ndikojnë në menaxhimin e grumbullimeve dhe rreziqet përkatëse për rendin dhe sigurinë, veçanërisht:
i. përdorimin e piroteknikës;
ii. çdo sjellje të dhunshme ose tjetër të ndaluar;
iii. çdo sjellje raciste ose tjetër diskriminuese.
gj) Bashkëpunon me organizatorët përkatës për garantimin dhe realizimin e ndeshjeve të futbollit ose aktiviteteve të tjera sportive të qeta, të sigurta dhe mirëpritëse.

6. Me qëllim përmbushjen e funksioneve, me nismën e tij, Komisioni mund të zhvillojë takime me grupet e ekspertëve të federatave sportive për të gjitha llojet e aktiviteteve sportive dhe të propozojë masa konkrete në zbatim të kuadrit ligjor në fuqi.

7. Anëtarët e Komisionit Kombëtar Kundër Dhunës në Sport shpërblehen për pjesëmarrjen në mbledhje sipas përcaktimeve të kuadrit ligjor në fuqi.

8. Vendimi nr.401, datë 18.6.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, funksionimin dhe mënyrën e shpërblimit të Komisionit Kombëtar Kundër Dhunës në Sport”, shfuqizohet.

9. Ngarkohet Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

Sport Dhuna Kampionati qeveria