Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka komentuar nismën e kryeministrit Edi Rama për Këshillim Kombëtar.
I ndalur tek pyetësori me 12 pika të cilit pritet t’i ‘nënshtrohen’ shqiptarët me qëllim krijimin e një pasqyre të përgjithshme të opinionit të qytetarëve mbi disa çështje thelbësore, Basha tha se: “Ajo që më parë thuhej se “ç’thotë partia bën populli, ç’do populli bën partia”, sot quhet konsultim kombëtar”.
“Është i njëjti mentalitet. Pasi e ka vjedhur dhe zbrazur si askush Shqipërinë dhe pasi ka ngritur në fron llumin e shoqërisë, tani Edi Rama na çon formularë, ndërkohë që policia i tërheq zvarrë gratë 80-vjeçare. Pyet për legalizimin e kanabisit. Por e ka marrë vesh e gjithë bota, që në Shqipëri zgjedhjet shkatërrohen për shkak të marrëdhënies së Ramës me baronët e krimit. Duhet t’i japim një grusht të fortë”- vijoi Basha.
I ndalur te mbajtja e zgjedhjeve të lira, Basha deklaroi se më parë duhen krijuar reformat e thella. “Duhet një reformë e thellë e sistemit zgjedhor dhe reforme administrative dhe vettingut të politikanëve që të tregojnë xhepat. Duke filluar nga unë i pari. Jo thonë tre të tjerët (I referohet Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës). Pse gjyqtarët, policët dhe noterët po, nesër do të thonë edhe blegtorët edhe peshkatarët, vetëm politikanët nuk duan vetting, se kanë shumë për të fshehur”.