Ekonomi28 Dhjetor 2022, 10:46

Qeveria nuk heq dorë nga Bordi i Karburanteve, ministrja: Do ta mbajmë përsa kohë çmimet janë mbi mesatare

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria nuk heq dorë nga Bordi i Karburanteve, ministrja: Do ta mbajmë

Qeveria nuk heq dorë nga Bordi i Karburanteve, ministrja: Do ta mbajmë përsa kohë çmimet janë mbi mesatare

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, në konferencën e fundvitit me gazetarët, u pyet edhe në lidhje me shkrirjen e Bordit të Karburanteve. Sipas ministres, bordi do të mbahet për sa kohë që çmimet janë mbi mesataren afatgjatë.

Ibrahimaj tha se, në momentin e parë që do të kemi një reduktim të ndjeshëm të çmimit të karburanteve, atëherë do të merret vendimi për heqjen e këtyre bordeve.

“Sa i takon Bordit të Karburanteve, është një pyetje që gjatë vitit 2022 më është bërë në mënyrë të vazhdueshme dhe qëndrimi që ne kemi është që ka një akt normativ në fuqi, i cili rregullon punën e Bordit të Karburanteve. Qëllimi i ngritjes së këtij Bordi ka qenë dhe vazhdon të mbetet kontrolli i çmimeve, me qëllim mbrojtjen e konsumatorit.

Sigurisht që gjatë vitit, tregtarët e këtij sektori kanë pasur ankesa të ndryshme. Ka qenë një periudhë e pazakontë dhe për shkak të kësaj periudhe, ne kemi vijuar mbajtjen nën kontroll të çmimit të karburanteve. Marzhi i fitimit të këtij sektori ka qenë ndjeshëm më i ulët në krahasim me ato të vitit të kaluar dhe ky ka qenë qëllimi ynë, që të kontrollonim fitimet e tregtarëve dhe çmimi final i konsumatorit të ishte sa më i ulët.

Ne do të vijojmë të mbajmë Bordin e Karburanteve përsa kohë që çmimet në tregun e karburanteve do të vijojnë të jenë ndjeshëm më të larta se mesatarja afatgjatë. Në momentin e parë që do të ketë një reduktim të ndjeshëm të çmimit të karburanteve, atëherë ne sigurisht do të ndalim nga funksionimi këto borde.”, tha Ibrahimaj.

Ekonomi #Bordi i Karburanteve Delina Ibrahimaj