Politike31 Tetor 2022, 22:14

"Qeveria pa vullnet politik për integrimin europian", Tabaku: BE kundër amnistisë fiskale, pasaportat e arta legalizojnë paratë e krimit!

Shkruar nga Pamfleti
"Qeveria pa vullnet politik për integrimin europian", Tabaku: BE

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për mungesë vullneti në plotësimin e kushteve për anëtarësimin në BE. Gjatë intervistës për gazetaren Elona Meço në emisionin “Pa Censurë”, Tabaku u shpreh se qeveria është shumë e ngadaltë dhe se procesi i screening që po zhvillohet tani, përafrimi i legjislacionit tonë me atë të BE, duhej të ishte ezauruar me kohë.

Kemi qenë të ngadalshëm dhe progres raporti e thotë shumë qartë se vullneti politik, i nevojshëm për të bërë reformat duhet të tregohet, sepse nuk ekziston. Pikërisht këtu shprehet vullneti politik, shprehet me përafrimin e legjislacionit, me ngritjen e strukturave, por edhe me miratimin e ligjeve si amnistia fiskale apo pasaportat e arta, që nuk janë në një frymë me BE-në”, tha Tabaku mes të tjerave.

E ndalur tek pasaportat e arta dhe amnistia fiskale, Tabaku ka kundërshtuar dy nismat e qeverisë duke theksuar se për to ka shprehur rezerva edhe Bashkimi Evropian. Sipas Tabakut, Shqipëria është në listën e gri të pastrimit të parave dhe se ajo që duhet bërë është të miratohen ligje për të dalë nga kjo listë. Ndërkaq, pasaportat e arta do t’i sillnin vendit dëme të parikuperueshme, sikurse rasti i Maltës.

Pjesë nga intervista:

Elona Meço: Që kur u vendos nisja e negociatave, nuk flitet shumë për të. Ju keni patur së fundmi, takime me të rinjtë në disa qytete. Të rinjtë duan të ikin nga Shqipëria apo duan të ndërtojnë Europën këtu?

Jorida Tabaku: Jemi në vitin e nëntë të rrugëtimit tonë, kur duhet të ishim në  një dimension tjetër dhe flasim për të njëjtat gjëra. I vendoset faji BE, Këshillit, vendeve anëtare, flitet me një retorikë të përgjithshme dhe nuk flitet për procesin e negociatave. Askush nuk e di çfarë po bën Shqipëria në Komision, çfarë po ndodh me procesin e screening, çfarë po ndodh me grupet negociuese, cila është puna që po bën administrata shqiptare. Për këtë arsye kam nisur një rrugëtim, në të cilin u bashkua dhe drejtuesja e zyrës së Delegacionit të Bashkimit Europian, për të diskutuar me të vërtetë cilat janë kostot dhe përfitimet. Në këtë vit të 9-të të kësaj retorikës së lodhur, ne nuk po dëgjojmë asgjë përsa i përket politikës së zgjerimit. Ndoqa me vëmendje konferencën e kryeministrit me presidenten e Komisionit Europian. Nuk e dëgjova fjalën zgjerim, reforma, nuk dëgjova që të flitet për procesin. Këtë po synojmë ta kompensojmë me rolin e rritur të Kuvendit, të Këshillit të Integrimit, por dhe të Komisionit të Integrimit, me të rinjtë. Ndërkohë, pyetja për largimin e të rinjve është permanente kudo. Mungesa e shpresës së të rinjve, kur ndodh në një qytet si Korça, që ka numrin më të lartë të punëkërkuesve, të bizneseve, në qytetet të tjera, është në një masë akoma më të madhe. E pashë në Berat dhe jam e sigurt që do ta shoh edhe në qytete të tjera. Kur më pyesin, psh siç ndodhi me rastin e Austrisë, që ka shqetësim numrin e lartë të shqiptarëve që largohen, pra kur na pyesin çfarë duhet të bëjmë ne, i kam thënë ju nuk duhet të bëni asgjë, duhet ta bëjmë ne këtu. Jam duke u përpjekur të bind së pari qytetarin, por dhe këdo që kemi interlokutor të qeverisë që procesin e integrimit ta përdorim si një arsye për ta ndryshuar vendin dhe për të bindur të rinjtë që duhet të qëndrojnë këtu. Kjo nuk është një detyrë që i takon opozitës në fakt. Por opozitës i takon të japë shpresë dhe unë dua ta përdorim këtë proces për të dhënë shpresë.

Elona Meço: Duke qenë se parlamenti luan një rol kryesor më mbikëqyrjen e procesit dhe ky rol kontrolli drejtohet nga ju, kur nis Shqipëria konferencën e parë reale ndërqeveritare, atë kur me të vërtetë nisin bisedimet mes palëve? 

Jorida Tabaku: Ndërkohë që flasim, po zhvillohet procesi i screening, i cili do të vazhdojë deri në korrikun e vitit tjetër, një proces që duhet ta kishim ezauruar këto 8 vite të gjata, por ky është kriteri teknik. Pas përfundimit të këtij procesi nisin diskutimet për negociatat e mirëfillta kapitull pas kapitulli dhe me metodologjinë e re që u prezantua.

Elona Meço: Screening do të thotë sesa i përputhshëm është legjislacioni ynë me atë të BE.

Jorida Tabaku: Pra, sa përiqnd e legjislacionit është përafruar për secilën prej fushave.  Fatkeqësisht, vitin e fundit, Komisioni Parlamentar i Integrimit ka përshtatur vetëm 7 ligje. Kjo tregon në vetvete edhe vullnetin politik të qeverisë të materializuar, se për fjalë janë të gjithë.

Elona Meço: Pra po thoni që jemi të ngadalshëm në këtë proces?

Jorida Tabaku: Kemi qenë të ngadalshëm dhe progres raporti e thotë shumë qartë se vullneti politik, i nevojshëm për të bërë reformat duhet të tregohet, sepse nuk ekziston. Pikërisht këtu shprehet vullneti politik, shprehet me përafrimin e legjislacionit, me ngritjen e strukturave, por edhe me miratimin e ligjeve si amnistia fiskale apo pasaportat e arta, që nuk janë në një frymë me BE-në.

———————————————-

Elona Meço: Ndërkohë që është në procesin e screening, qeveria ka në shqyrtim projektin e pasaportave të arta dhe amnistisë fiskale. Konkretisht, çfarë dëmi shkaktojnë këto 2 nisma në raport me BE? 

Jorida Tabaku: Jam përpjekur që në procesin e integrimit të jap mesazhe pozitive në nivelin e rolit të parlamentit dhe të rolit të opozitës. Nuk ka asnjë dyshim që PD ka qenë promotore kryesore e reformave për procesin e integrimit dhe të gjitha arritjet më të mëdha janë bërë nën drejtimin e PD. Nuk është habi që në 9 vitet e fundit, ne kemi ngecur në këtë proces dhe jam e sigurt që edhe përfundimi i negociatave, procesi i anëtarësimit do të kryhet në drejtimin e PD.

Elona Meço: Kaq vonë?

Jorida Tabaku: PD do të vijë më shpejt se ç’e mendoni ju në qeverisje. Dhe për këtë arsye, po thosha, jam përpjekur të jap mesazhe pozitive, pra jo vetëm të sulmohet. Duhet të japim alternativë. Unë po përpiqem që alternativën ta jap përmes procesit të integrimit dhe çdo gjë, çdo kritikë që bëj, e bëj edhe në kuadrin sesi do ta bënim ne ndryshe, si do ta bënim ne më mirë. E sigurt është që ne asnjëherë nuk do të kishim diskutuar ligje si pasaportat e arta apo amnistia fiskale në vitin e parë të hapjes së negociatave. PD në vitin 2011 ka patur një propozim për amnistinë fiskale. Propozimi ynë është totalisht i ndryshëm nga ai që po ndodh tani, ku përfshihet dhe amnistimi  i krimeve që lidhen me korrupsionin dhe me krimin e organizuar.

Elona Meço: Kryeministri thotë të kundërtën në fakt, që ligji ndihmon emigrantët

Jorida Tabaku: Nëse do të ndihmonte emigrantët, do të ishim të parët që do ta votonim. Është normale që pas 30 viteve tranzicion të ketë një amnisti. Po të shohësh të ardhurat nga emigrantët, të paktën 5 vitet e fundit, janë në rënie. Emigrantët e kanë ezauruar kurbën e investimit të tyre këtu. Për t’iu rikthyer komenteve negative për nismat. Dëmi është i parikuperueshëm, sepse vende si Malta, që e kanë ligjin e pasaportave të arta, po kritikohen gjerësisht pse e kanë këtë ligj. Standardet e BE nuk janë për shitje. Shqipëria nuk duhet të shkojë në drejtimin e miratimit me asnjërën nga nismat. Përsa i përket amnistisë fiskale jemi renditur në listën gri të pastrimit të parave. Na duhet të miratojmë një sërë ligjesh për të dalë nga kjo listë. Konsiderohemi si vend burim përsa i përket trafiqeve, konsiderohemi si vend që pastron para në dy industri të mëdha: në lojërat e fatit dhe në ndërtim. Të gjithë këto ndikojnë negativisht. Pse është BE kundra amnistisë fiskale? Së pari tërheq kapital kriminal dhe korruptiv, shkon kundër me dy kritere që duhet t‘i përmbushim: lufta kundër krimit të organizuar dhe lufta kundër korrupsionit. Së dyti, barazia para ligjit. Kur ti vendos gjoba 10 herë më të larta ndaj bizneseve që paguajnë normalisht tatimet dhe paralelisht miraton  një ligj për amnistinë fiskale që stimulon ekonominë informale, këto nuk shkojnë në të njëjtin drejtim.

Elona Meço: Keni dijeni nëse qeveria është tërhequr për tyre, duke qenë se nuk ka asnjë zhvillim të ri?

Jorida Tabaku: Është fakt që nuk janë llogaritur në buxhetin e 2023. Të ardhurat nga këto 2 ligje nuk janë llogaritur, ndërkohë që janë llogaritur të ardhurat nga burime të tjera, por nuk di të të them, nëse është tërhequr. Di që po diskutohet një draft i ri, ku është ulur niveli, është  ndryshuar norma e tatimit, ku thuhet se ka ndryshime, por askush nuk  e ka parë. Kam  mësuar që kësaj qeverie t’i zë besë vetëm kur lexoj diçka. Është shumë larg nga e thëna në të bërë, por sido që të jetë, përsa kohë ekziston komponenti i amnistisë penale, ky ligj nuk duhet fare të diskutohet.

Politike tabaku