Aktualitet12 Tetor 2018, 13:21

Qeveria propozon favorizim të ri fiskal për ferrokromin e Elbasanit

Shkruar nga Pamfleti
Qeveria propozon favorizim të ri fiskal për ferrokromin e Elbasanit

Qeveria propozon favorizim të ri fiskal për ferrokromin e Elbasanit

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka në plan të rrisë taksat për eksportin e kromit bruto me argumentin se një masë e tillë do të sjellë rritjen e përpunimit të kromit në vend, sipas propozimit për ndryshime në ligjin ekzistues në taksat kombëtare të parë nga BIRN.

Sipas propozimit, i cili po shqyrtohet aktualisht nga Ministria me grupet e interesit, minerali i kromit për eksport do të taksohet me 9 për qind nga 6 që taksohet aktualisht. Në të njëjtën kohë, eksporti i ferrokromit do të vijojë të taksohet me 4%, ose më shumë se dy herë më pak se sa kromi bruto.

“Në shtojcën nr.2 “Renta minerare sipas klasifikimit”, përqindja e rentës minerare,në grupin e parë(I) “Mineralet metalike”, në pikën 4 “Mineralet e kromit për eksport”, bëhet 9 %.””, thuhet në propozimin e Ministrisë së Financave.

Sipas relacionit shoqërues, Ministria e Financave e ka bërë këtë propozim diskriminues në mbështetje të prodhimit vendës.

Në dokumentin “Strategjia minerare e Republikës së Shqipërisë 2010-2025” sasia e përgjithshme e rezervave të nxjerrshme të kromit në vitin 2010 vlerësohej në 10 milion ton. Në këtë dokument theksohet që kromi duhet të shkojë drejt përpunimit duke ulur eksportin si mineral dhe duke rritur eksportin e kromit të përpunuar si ferrokrom”, thuhet në relacion.

“Për këtë qëllim, duhet të ndërmerren politika që të stimulojnë përpunimin e mineralit në vend dhe rritjen e vlerës së tij për eksport. Një ndër mënyrat mund të jetë rritja e rentës minerare për të dekurajuar eksportin të mineralit të kromit të papërpunuar,” argumenton më tej relacioni.

Problemi është se Shqipëria ka vetëm një fabrikë ferrokromi, e cila është pjesë e Balfin Group dhe rrjedhimisht, nga propozimi nuk përfiton vetëm prodhimi vendës, por përfitimi është i kufizuar te një subjekt tregtar i vetëm.

Kjo është hera e dytë në katër vitet e fundit që qeveritë socialiste ndërmarrin diskriminime fiskale në favor të ferrokromit.

Në vitin 2014, një shoqatë e quajtur “Shoqata e Mineraleve të Shqipërisë”, kërkoi dhe mori uljen e rentës minerare për kromin e përpunuar në vend. Qeveria ka pranuar që renta minerare të ulet me 30 për qind për kromin e përpunuar.

Industria e minierave të kromit paguan aktualisht 6% rentë minerare për mineralin e eksportuar bruto ndërsa ferrokromi paguan 4% rentë. Nëse propozimi aktual i Ministrisë së Financave miratohet, diferenca do të thellohet në 9% për operatorët e tjerë të kromit dhe 4% për ferrokromin.

Në vitin 2014, Ministria e Financave vlerësoi se ulja e përfituar nga ferrokromi ishte 45 milionë lekë në vit, të ardhura të munguara për taksapaguesit shqiptarë. Në relacionin aktual nuk ka vlerësim nga Financat për pasojat financiare dhe nuk ka as ndonjë vlerësim nëse ulja e mëparshme ka sjellë apo jo ndonjë efekt pozitiv në ekonomi.

Favorizimi i një operatori në treg në krahasim me të tjerët ka gjasa bie ndesh me parimin e konkurrencës së lirë dhe potencialisht përbën ndihmë shtetërore për një industri të caktuar, praktikë kjo e ndaluar nga Bashkimi Europian./BIRN

Aktualitet ferrokromi në Elbasan qeveria