Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MPAL) ka dhënë sqarime lidhur me zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë, pas akuzave që mori nga organizatorët për neglizhencë të këtij dikasteri qeveritar për të lëshuar lejet e nevojshme për lokacionin.
Kjo ministri në reagimin e saj ka mohuar se ka anuluar kërkesën e organizatorëve, përkundrazi njoftohet se janë në proces të shqyrtimit të këtij akti.
“Duke e ditur rëndësinë e cilit do investim madhor dhe nevojës për projekte serioze dhe gjithnjë përmes procedurave siç parashohin ligjet dhe rregulloret, por edhe në përputhje me interesin dhe mënyrën e shfrytëzimit të pronës publike ju njoftojmë se jemi në proces të shqyrtimit të këtij akti dhe se nuk bëhet fjalë për anulim nga ana e ministrisë. Lidhur me dhënien e pronës komunale në shfrytëzim sqarojmë se, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal nga momenti i parë ka trajtuar me kujdes maksimal Vendimin e Komunës së Prishtinës për dhënien afatgjatë të pronës komunale në shfrytëzim. Po ashtu njoftojmë opinionin publik se MAPL nuk e anuluar apo rikthyer në rishqyrtim këtë vendim, por ka kërkuar sqarim dhe dokumente shtesë të cilat mungojnë”, thuhet në reagimin e MPAL-së
Nga kjo ministri kanë bërë të ditur po ashtu se kanë kërkuar sqarime shtesë nga Komuna e Prishtinës.
“Ani pse lënda nuk ka qenë e kompletuar, duke vlerësuar edhe rëndësinë e një veprimtarie të tillë, MAPL në përputhje me kompetencat sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave ka kërkuar sqarime shtesë në lidhje me vendimin e Komunës së Prishtinës me theks të veçantë për kohëzgjatjen e dhënies në shfrytëzim dhe pjesën e parcelës prej 17 hektarësh, sa ishte kërkuar në shfrytëzim, një pjesë e së cilës ka statusin e tokës bujqësore”.
Nga MAPL-ja thonë githashtu se kanë munguar disa dokumente esenciale në aplikacion.
“Përveç kësaj lënda kishte disa dokumente esenciale që mungonin në aplikacion për të cilat kërkuam po ashtu sqarime shtesë: a) Projekti i paraqitur nga investitori dhe plani dinamik i realizimit të investimit; b) qarkullimin bankar për vitin paraprak, ashtu siç është paraparë me nenin 23 të Rregullores (qrk) nr. 09/2020 për përcaktimin e procedurave të dhënies në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës”, thuhet në njoftim./Pamfleti.net