
Qeveria s’paguan asnjë lekë as për bebet, Rama 2.3 milionë euro borxh për shpërblimet e lindjes
Pasi shkatërroi sistemin e pensioneve duke mos paguar sigurimet shoqërore e shëndetësore, kryeministri “fut” duart te paratë e të porsalindurve. Nxjerr vendime për bonusin e “bebes”, ndërsa ka miliona euro borxhe për shpërblimet e lindjes, si “Piramidat” e Berishës. Fundja “Sudja” e “VEFA” këtë gjë bënë, merrnin para me përqindje marramendëse, për të shpërblyer klientët e parë. Të fundit ngelnin me gisht në gojë.
Edi Rama ka futur shtetin shqiptar në borxhe deri në fyt, për shkak të ndryshimit të destinacionit të parave që shkojnë për oligarkët klientë të tij dhe për fasada.
Nëse deri më tani nuk ka paguar sigurimet shoqërore e shëndetësore, duke krijuar një skemë piramide mashtruese që do të “zërë” poshtë të gjithë moshën e pensionit brenda, kryeministri shqiptar ka “futur” duart dhe te paratë e bebeve të porsalindura.
Zyrtarisht mësohet se deri në qershor të këtij viti qeveria kishte ende rreth 293 milionë lekë apo rreth 2.3 milionë euro detyrime të pashlyera në zërin e shpërblimeve të lindjes.
Ky zë që është bërë borxh prej miliona eurosh përfshin 5 mijë lekëshin që duhet të kishin përfituar bebet e lindura në të gjithë vendin sipas skemës së vjetër e që ende s’ju është dhënë familjarëve pavarësisht se fëmijët janë regjistruar.
Bëhet e ditur se Ministria e Brendshme ka raportuar një borxh total të sajin prej 713,5 milionë lekë nga të cilat më pak se 1/3 është pikërisht pjesa e shpërblimeve të lindjes të pashpërndara. Ky shpërblim u jepet prindërve në momentin që regjistrojnë të sapolindurit në zyrën e gjendjes civile.
Pra pjesën e “luanit” në këto detyrime e mbajnë ato për shpërblimin e fëmijëve të porsalindur.
Skema e shpërblimit të lindjes për fëmijët prej vitesh zvarritet, ku për vite të tëra familjet nuk arrijnë të marrin vlerën prej 5000 lekësh që ua caktonte ligji edhe pse kanë përmbushur detyrimet me pjesën e procedurave.
Teksa marrja e kësaj shifre është një histori më vete, qeveria një vit më parë miratoi një tjetër skemë lidhur me “bonusin e bebes”, që parashikon ndihmë të menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura.
Madje vendimi i qeverisë kishte qëllim që të nxiste rritjen e nivelit të lindjeve në Shqipëri, teksa shpërblimi për lindje fëmije është 40.000 lekë për fëmijën parë, 80.000 lekë për fëmijën e dytë dhe 120.000 lekë për fëmijën e tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim.
Ndërkohë, për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit është 80.000 lekë për secilin fëmijë, për ato që lindin trinjakë masa e përfitimit është 120.000 lekë për secilin fëmijë.
Por, Rama është kthyer në një “Piramidë” mashtruese, si “Sudja” e “VEFA” e viteve ’90, duke nxjerrë vendime për bonusin e “bebes” me shifra impresionuese, ndërkohë që ka 2.3 milionë euro borxhe për shpërblimet e lindjes.
Fundja “Sudja” dhe “VEFA” këtë gjë bënë, merrnin para me përqindje marramendëse, për të shpërblyer klientët e parë. Të fundit ngelnin me gisht në gojë./Pamfleti/