Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka bërë me dije afatet kohore të procedurave për zgjedhjet e pjesshme lokale. Në gjashtë bashkitë e mbetyra pa kryetar, e Shkodrës, Vorës, Dibrës, Durrësit, Lushnjës dhe Rrogozhinës, qytetarët do t’iu drejtohen kutive të votimit më 6 mars për të zgjedhur kryetarin dhe plotësuar kështu vakancat që nisën pas zgjedhjeve vendore të 2019.
Kështu, “bashkitë në të cilat do të kryhen zgjedhjet e pjesshme dhe institucionet e tyre të varësisë janë të detyruara të raportojnë në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën 31 Janar 2022 deri më datë 06 Mars 2022”, sqaron KQZ.
Po ashtu njoftohet se fushata zgjedhore nis më 19 shkurt. “Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore për kryetar bashkie në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje fillon në datën 19 Shkurt 2022”, thuhet më tej në njoftimin e KQZ.
Kujtojmë se, partitë politike duhet të paraqesin kërkesën në KQZ për regjistrim si subjekte zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme nga data 28 deri 31 janar 2022.