Presidenti Ilir Meta ka dekretuar datën 6 mars për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme lokale, për 6 bashkitë e vendit që kanë mbetur pa kryetar.
Me anë të një njoftimi në Facebook, Meta njofton vendosjen e datës për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive Shkodër, Durrës, Dibër, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë.
“Të dashur qytetarë,
Sapo dekretova caktimin e datës 6 mars 2022, për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie në Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë. Uroj që ky proces të jetë një shembull i besimit te demokracia dhe vota e lirë”, shkruan Meta.
Ditën e djeshme, Meta zhvilloi një takim me kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulan Balla për caktimin e datës, ndërkohë nga ky takim u përjashtua Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare. Meta u justifikua duke thënë se nga opozita nuk kishte një shqetësim për bojkotimin e këtyre zgjedhjeve, në ndryshim nga mazhoranca.
PD, nga ana e saj, reagoi me anë të Gazment Bardhit i cili deklaroi se ai takim ishte show i rradhës përpara kamerave i brinjëve të “Trekëndëshit të Bermudës”, duke ju referuar treshes Rama-Meta-Berisha.