Ekspertja e komunikimit, Edlira Gjoni, e ka konsideruar “ri-shpikje” të Kryeministrit Edi Rama organizimin me katër ministra të Shtetit në qeverinë e tij të re.
E ftuar në emisionin “Now” , në Euronews, Gjoni analizoi zgjedhjet e Ramës duke i cilësuar ato si të paqarta dhe “mister”.
Sipas saj ngritja e ministrive të Shtetit nuk është argumentuar qartë dhe nuk është e justifikuar.
“Të ngresh një ministri për sipërmarrjen në një kohë kur bazat e sipërmarrjes ti i ke zero, për mua është mister” – tha Gjoni.
Në qeverinë e re të Ramës do jenë katër ministra të Shtetit: ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin (Elisa Spiropali), ministër për Mbrojtjen e Sipërmarrjes (Edona Bilali), ministër për Rininë dhe Fëmijët (Bora Muzhaqi) dhe ministër për Standardet dhe Shërbimet (Milva Ekonomi).
“Mister për mua mbetet dhe zhvendosja e Milva Ekonomit nga ministria e Bujqësisë te ministri shërbimesh dhe gjërash të tjerash që janë një ri-shpikje e Ramës. Edhe dy ministritë e tjera të shtetit për mua do të ngelin po aq mister sa ka qenë ministria e Spiropalit”- tha Gjoni.
“Cili është stafi i kësaj ministrie, cila është nevoja? Ne krijojmë dhe rrëzojmë qeveri pa e ditur se përse i duam këta njerëz, këto ministri,” – theksoi Gjoni.