
Rama-Basha sabotojnë Vetingun e politikanëve, “ping-pong” me Venecian
Rama dhe Basha kanë ndërruar rolet dhe qëndrimet e tyre, duke sabotuar Vettingun e politikanëve, që do të “fundoste” shuma koka të larta të politikës
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe kryeministri Edi Rama kanë nisur lojërat politike për të sabotuar Vettingun e politikanëve, të propozuar nga Basha dhe të mbështetur nga Rama. Sot, kur do hidhej hapi i parë i nisjes së Vettingut në radhët e politikës, “ushtarët” e Ramës dhe Bashës kanë befasuar me qëndrimet.
Kur gjithçka dukej se ishte futur në hallkën e zgjidhjes dhe së shpejti priteshin rezultatet e para të goditjes së kupolës së korruptuar dhe të inkriminuar politike, Basha dhe Rama bëjnë sërish “xing”. Ashtu si me Reformën në Drejtësi, edhe te Vettingu palët i ka ndarë “Venecia”, por me një ndryshim të madh.
Nëse te Reforma në Drejtësi, Basha dhe “ushtarët” e tij ishin partizanët e flaktë të “Venecias” dhe kërkonin me çdo kusht që reforma të bëhej sipas këndvështrimit të Komisionit të Venecias, ndërsa Rama dhe të tijët ishin kundër, duke kërkuar një reformë me bazë amerikane, në rastin e Vettingut na shfaqet një situatë krejt e përmbysur.
“Kushti ynë i vetëm do jetë moskapja e drejtësisë. Kapja politike duhet të shmanget. Ndaj në çdo hap kemi propozuar formula evropiane. Korrupsioni ndodhet aty ku merren vendimet për shqiptarët. Opozita ime do ekzistencën e një institucioni të tillë dhe pavarësisë për të bërë hetime për korrupsionin. Propozimi ynë është implementimi i ‘Venecias’”, thoshte Basha për Reformën në Drejtësi.
Ndërsa sot, Rama dhe Basha kanë ndërruar rolet dhe qëndrimet e tyre, duke sabotuar Vettingun e politikanëve, që do të “fundoste” shuma koka të larta të politikës. Në komisionin e mbledhur sot për të shqyrtuar propozimin e Bashës, palët nuk gjetën dot konsensus, duke bërë lojëra “ping-pongu” me Venecian.
Teksa të majtët kërkuan sot që Vettingu në politikë të bëhej sipas Venecias, të djathtët dolën me një qëndrim kundër, duke refuzuar “Venecian”. Kjo duket të jetë një lojë e fëlliqur e krerëve të dy partive më të mëdha në vend, për të mbrojtur në radhë të parë “kokat” e tyre, e më pas të “sheikëve” të Kuvendit apo të ministrave milionerë./Pamfleti