Aktualitet17 Tetor 2019, 16:31

Rama hesht, Dializa me “tutorë” Vasilin, Beqjan e Manastirliun grabit 1 milion dollarë në muaj

Shkruar nga Pamfleti
Rama hesht, Dializa me “tutorë” Vasilin, Beqjan e Manastirliun

Rama hesht, Dializa me “tutorë” Vasilin, Beqjan e Manastirliun grabit 1 milion dollarë në muaj

Koncesioni i “Hemodializës”, me një vlerë 86 milionë euro dhe fitim 380 mijë euro që vitin e parë pa filluar punë, fiton gjyqin me qeverinë dhe përfiton ekstra 115 milionë lekë të reja në muaj. Kushuriri i ish ministrit të Shëndetësisë së LSI bleu shërbimin e Dializës së dhënë nga Ilir Beqja, nën “hundën” e Ogerta Manastirliut, për vetëm 30 milionë lekë. Për të fituar para, maskarenjtë e politikës, jo vetëm që gjejnë gjuhën e përbashkët, por “këmbejnë” mes tyre dhe oligarkët klientë

Edi Rama po i bën “tym” paratë e shqiptarëve jo vetëm përmes koncesioneve me PPP-të e famshme për oligarkët klientë të tij, por dhe përmes pagesave ekstra që ata përfitojnë nga mungesa e “vëmendjes” në kontratat e nënshkruara.

Duke qënë tendera të dhëna pa konkurrencë dhe të hartuara me shpejtësi dhe mungesë të plotë transparence, kontratat koncesionare me Partneritet Publik-Privat kanë nisur të marrin para shtesë nga buxheti përtej fondeve të përcaktuara papaprakisht, që në vitet e para të zbatimit.

Koncesionari i shërbimit të Dializës, kompania “EVITA” ka fituar gjyqin me qeverinë shqiptare dhe ka marrë pagesa ekstra në një muaj 115 milionë lekë, ose rreth 1 milionë dollarë, lidhur me faturimet e koncesionarit në rrethet Korçë e Elbasan, për të cilat Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor çoi në gjyq kompaninë.

Procesi gjyqësor si gjithnjë ka rezultuar pozitiv në favor të kompanisë, të cilës buxheti i shtetit duhet t’i paguajë të ardhura shtesë në më shumë se 115 milionë lekë të reja.

Në fakt i tillë u bë i ditur pasi ministria e Financave njoftoi se në maj 2019 pati një pagesë ekstra rreth 115 milion lekë për vendimin gjyqësor në favor të kompanisë ofruese të “Shërbimit të Dializës”, pagesë e cila përbën 16.8 për qind të totalit të pagesave për muajin maj dhe rreth 18 për qind të planit total vjetor për këtë kontratë.

Dikush mund të pyesë se si ka mundësi që kompania koncesionare e shërbimit të Dializës arriti që të fitonte një gjyq që i siguron të ardhura marramendëse miliona euro në një muaj kalendarik.

Duke parë se cilat kompani janë involvuar në kontratën koncesionare të shërbimit të Dializës dhe sidomos emrat që i drejtojnë këto kompani, del në përfundimin se në këtë maskarallëk janë përfshirë sëpaku tre ministrat e Shëndetësisë, në qeveritë “Berisha” dhe “Rama”.

Ditë më parë koncesioni 86 milionë dollarë i shërbimit të Dializës ose “Hemodializës” i është shitur  për 30 milionë lekë nga “EVITA” shpk kompanisë së biznesmenit kontravers dhe të lidhur me LSI, Rasim Hamzaraj, dikur i akuzuar fort për konflikt interesi dhe korrupsion nga PS.

Megjithëse nga 1250 pacientët që u trajtuan me Hemodializë vitin e kaluar, vetëm 30 për qind prej tyre morën shërbimin nga koncesionari i PPP nëpërmjet kompanisë “EVITA, kjo nuk e ka penguar atë që pas fitimeve marramendëse, ta shesë koncesionin badihava.

Koncesionari që fitoi “Hemodializën” për 10 vjet, kohë kur Ministrinë e Shëndetësisë e drejtonte Ilir Beqaj, kishte si biznes një lokal bar-kafe, pa asnjë lidhje me shëndetësinë.

Konkurenca nisi hetimet për check-up, dializën dhe sterilizimin në atë kohë, por pa shkuar deri në fund për shkak të presionit politik. Ndërkohë që shpresat janë tek SPAK, që pritet të çojë në para drejtësisë këta përfitues, bashkë me mbrojtësit e tyre qeveritarë.

Por situata është komplikuar pasi “EVITA” që zotëronte 85 përqind të aksioneve, (ndërsa 15 përqind të aksioneve të Dia Vita Sh.p.k janë në pronësinë e Spitalit Amerikan Sh.a.), i ka shitur aksionet e saj tek Rasim Hamzarai, miku personal i ish ministrit të Shëndetësisë Petrit Vasili.

Hamzaraj është administratori dhe aksioneri kryesor i një prej kompanive më të mëdha farmaceutike në Shqipëri, ‘Megapharm’ Sh.p.k, dhe ka qënë në kohën Vasili ishte Ministër, përfituesi kryesor i tenderëve të Ministrisë së Shëndetësisë për barna.

Blerja nga Hamzaraj e aksioneve të “EVITA” vjen në një klimë akuzash të ndërsjella midis opozitës dhe maxhorancës, mbi mënyrën e dhënies së koncesioneve në fushën e shëndetësisë nga qeveria “Rama’ dhe përfituesit e tyre, pavarësisht se ai ka pasur aksione tek “EVITA”.

Të dhënave të botuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pronari i ri i paketës mazhoritare të aksioneve të koncesionit të “Hemodializës” Rasim Hamzaraj, është gjithashtu administrator i kompanisë farmaceutike “Megapharm” si dhe zotëron 33.3 % aksioneve të saj.

Suksesi i kompanisë “Megapharm” me tenderët publik në fushën e shëndetësisë nuk ka filluar me ardhjen në pushtet të PS më 2013. Ajo është përfolur si përfitues i madh i tenderëve publikë dhe në vitet 2010-2012, gjatë qeverisë së ish kryeministrit Sali Berisha, në aleancë me Ilir Metën.

Në atë kohë deputeti i PS Eduard Shalsi akuzonte se vetëm gjatë 2010, “Megapharm” pati përfituar 9 milionë euro në tenderë publikë në fushën e shëndetësisë dhe ky sukses ka ardhur si pasojë e lidhjeve nepotike me ish-ministrin e Shëndetësisë së LSI, Petrit Vasili.

Sipas PS Hamzaraj është kushëriri i ish ministrit të LSI Petrit Vasili, çfarë ka sjellë favorizimin e kompanisë në tenderët për barna, gjatë kohës që ai ka drejtuar ministrinë e Shëndetësisë.

Ndërkohë që socialistët nuk u “stepën” dhe e “dorovitën” këtë kompani në kohën e Ilir Beqjas me koncesionin e “Dializës” që vetëm vitin e parë të saj realizoi 380 milionë euro fitim, pa nisur ende punën, si dhe iu dhuruan Sptalit Amerikan të Allajbeut, 70 milionë euro.

Ndërsa ministrja aktuale e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu lejoi shitjen e koncesionit me vlerë 86 milionë euro nga “EVITA” tek Rasim Hamzaraj, për 30 milionë lekë. Theksojmë se Hamzaraj ka pasur aksione që në fillim të herës tek “EVITA”, derisa bleu tërë paketën e saj të Dializës.

Kur vjen puna për të fituar para, maskarenjtë e politikës shqiptare të të gjithë krahëve jo vetëm që gjejnë gjuhën e përbashkët, por “këmbejnë” dhe oligarkët klientë të tyre. Ndërsa Rama hesht./Pamfleti

Kryesore Beqjan e Manastirliun grabit 1 milion dollarë në muaj Dializa me “tutorë” Vasilin Rama hesht