Aktualitet22 Shtator 2022, 16:32

Rama i bindet Erdoganit, nis “gjuetinë” ndaj gylenistëve; qeveria mbyll shkollat e financuara nga Gylen

Shkruar nga Pamfleti

Ky vendim ka bërë bujë edhe te mediat turke, të cilat e konfirmojnë se ka nisur “gjuetia” ndaj gylenistëve.

Kryeministri Edi Rama ka nisur të zbatojë urdhrat e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për të mbyllur institucionet e financuara nga Fethullah Gülen.

Kur vizitoi Shqipërinë në janar të këtij vit, Erdogan i dha urdhër të prerë Edi Ramës se nuk duhet të mbështesë më “gylenistët”. Ai e bëri të qartë se mbështetësit e Gylen duhet të ekstradohen në Ankara, dhe institucionet e financuara prej tij duhet që të mbyllen.

Duket se tashmë reprezalja ka nisur. Qeveria ka vendosur të mbyllë një kopsht dhe një gjimnaz që janë pjesë e rrjetit që financohen nga Gylen. Ministria e Arsimit ka urdhëruar mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor parauniversitar privat, kopshtit “Zubeyde Hanim”, në Tiranë, që është pjesë e shoqërisë “Turgut Ozal Education”, që financohet nga Fethullah Gülen.

MASH shprehet se heqja e licencës bëhet për shkak të konstatimit të shkeljeve të rënda të legjislacionit në fuqi, që përbëjnë mosplotësim të kushteve të licencimit. Gjithashtu theksohet se kopshti në fjalë ushtron aktivitetin në një godinë, për të cilin nuk është marrë miratimi nga ministri përgjegjës për arsimin dhe institucioni përkatës i licencimit. Por duket se gjithçka lidhet me urdhrin e Erdogan. Ky vendim ka bërë bujë dhe te mediat turke, të cilat e konfirmojnë se ka nisur “gjuetia” ndaj gylenistëve.

Gjithashtu qeveria ka urdhëruar mbylljen e kolegjit “Mehmet Akif” në Tiranë. Vendimi është publikuar sot dhe gjimnazi turk në Shqipëri duhet të pajisë nxënësit me dokumentacionin e nevojshëm që ata të transferohen në institucione të tjera arsimore. “Këshilli i Ministrave vendosi: Mbylljen e veprimtarisë së institucionit arsimor privat parauniversitar “Mehmet Akif Ersoy”, i licencuar me vendimin nr.560, datë 26.8.1996, të Këshillit të Ministrave, “Për dhënie lejeje për funksionimin e institucioneve arsimore private”, për nivelin e arsimit të mesëm të lartë, i cili e zhvillon mësimin edhe në gjuhë të huaj”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Pas vizitës së Erdogan, Rama deklaroi se Shqipëri nuk mund të pranojë kërkesat e Ankarasë. Mirëpo për disa muaj pati një ftohje të raporteve mes tyre. Së fundmi pati një shtrëngim duarsh në Ankara, ku Rama ishte pjesë e një aktiviteti. Si duket shefi i qeverisë shqiptare ka nisur tu bindet urdhrave të Erdogan, për të sheshuar raportet. /Pamfleti

Kryesore Erdogan Gylen Rama