Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me kreytarët e bashkive për ndotjen e mjedisit.
Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij Rama theksoi se Lezha është një nga Bashkitë e cila duhet marrë shembull, pasi sipas tij ka një mirëorganizim për menaxhimin e mbetjeve. Nga ana tjetër ai përmendi disa bashki, si Malësia e Madhe, Elbasani, Himara dhe Saranda në të cilat sipas kreut të qeverisë, ka kryetarë bashkish që lejojnë që të derdhen inerte në vende të paautorizuara.
Kryeministri Edi Rama gjithashtu u shpreh se do të ketë një aleancë me bashkitë që nuk e përballojnë dot pastrimin, ndërsa ritheksoi se Policia e Shtetit duhet të përfshijë më shumë në punën e saj të përditshme krimin mjedisor.
“Vitin e ardhshëm do të fillojmë me katër zonat më kritike për të vijuar me zonat bregdetare. Por ka një tjetër arsye për të reflektuar sepse kemi një model që e bën më shqetësues situatë që tregon që përtej të gjitha shtrëngimeve financiare, lidershipi i Bashkisë dhe organizimi luan një rol që mund të arrijë deri në pikën që mund t’i kapërcejë këto probleme.
Në Bashkinë e Lezhës kemi pasqyre ndryshe nga pjesa tjetër dhe as nuk ka ndonjë taksë marramendëse për pastrimin apo mbështetje speciale nga qeveria. Por ka një skemë organizimi përmes së cilës arrin të garantojë, ndoshta jo 100 % të shkëlqyer, por është një kuotë të lartë pozitive. Sezonin e ardhshëm është mirë të adresojmë edhe problemin e pastrimit të plazheve. Është e domosdoshme që sëbashku të adresojmë edhe aspektin e ndëshkimit, gjobave. Por në fund të ditës i gjithë ky zinxhir nuk funksionon nëse Policia e Shtetit nuk e përfshin krimin mjedisor si pjesë e punës të përditshme dhe vazhdon të ketë dobësi.
Policia e shtetit të garantojë që asnjë kamion me inerte të mos shkojë në asnjë destinacion tjetër vetëm se atje ku është e përcaktuar. Ka bashki që autorizojnë biznese për të derdhur inertet në pika të paligjshme. Janë disa bashki që nga Malësia e Madhe edhe në Elbasan, e deri në Himarë e Sarandë që mbyllin sytë përballë situata të tillave. Nuk duhet tua lejojnë vetes që t’u shkelin syrin këtyre kamionëve duhet të informojnë policinë e shtetit për këtë situatë.“- tha Rama.