
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar sërish para nga Bashkimi Europian. Ndonëse pak ditë më parë shefja e KE tha se do të jepen 80 milionë ero për krizën energjitike, Rama ka kërkuar që Ballkani të përfshihet te skema për uljen e inflacionit. Deklarata e tij u bë gjatë mbledhjes së përbashkët qeveritare Shqipëri-Maqedoni e Veriut.
“Duke kërkuar nga BE që të na përfshijë gjithnjë e më shumë në përpjekjen e organizuar për t’ë përballur goditjen e madhe të rritjes së çmimeve por edhe inflacionit. Por edhe për të ndërtuar një plan të përbashkët që të na japë mundësi të shohim përtej kësaj faze, të vështirë të zymtë, por jo të pambarimtë. S’kemi nevojë të presim fundin e luftës për të projektuar”, tha ai.
Gjatë fjalës së tij në prani të homologut maqedonas Dimitar Kovačevski, Rama u shpreh se pas takimit në Strugë, dy qeveritë takohen në një kontekst tjetër tashmë, së pari për shkak të luftës dhe së dyti për shkak të marrjes së dritës jeshile nga Unioni për nisjen e negociatave.