
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Porti i ri Turistik i Durrësit do të marrë sot vulën e Kuvendit për të nisur jetësimin hap pas hapi, si investimi më i madh i huaj në historinë e vendit. Rama theksoi se asnjë metër tokë nuk do të falet, ndërsa shtoi se investimi do të jetë 2.1 miliard euro.
Gjithashtu Rama foli me superlativa për drejtuesin e kompanisë që do ndërkojë këtë port, duke e quajtur Alabar-in një personalitet të madh.
“Mufot dhe Cufot, kur nuk mungojnë edhe gjelat e detit, që janë prurje e re. Eagel Hills është regjistruar në Abu Dhabi. Garantët konfidencial janë në Abu Dhabi. Nuk është Emmari thonë, dhe e bëjnë mashtrim. Por nuk kanë cipë, se nuk po më akuzojnë mua. Akuzojnë me mashtrim një personalitet të ekonomisë globale. Drejtuesin e Emmar Group. Është në të drejtën e tij të vijë me një kompani të re, siç shkoi në Serbi, Eagel Hills Serbia. Personalitet është ai. 12 mijë vende pune të mirë paguara. Duhet të jesh me mendje hajduti që të shpifësh. Si ato që jepnin vendin me një euro.
Ne nuk po falim asnjë metër tokë, po japim të drejta zhvillimi mbi një pronë shtetërore. Dhe shteti është ortak me një kompani që do të investojë të paktën 2.1 miliard. Por ata që vijnë nga e shkuara, ia numërojnë vlerën e pronës. Turpin këta të pa udhë e kanë ngrënë me turpin e pavarësisë, duke thënë se edhe taksat janë falur. Jo. Janë 1.069 miliard euro që Shteti do të përfitojë. Taksa e ndikimit në infrastrukturë nuk falet por është kontribut, se zotëron 33% të aksioneve. Ky ortaku shtet, ka veto për të miratuar buxhetin dhe të borxhit apo çdo vendimmarrje me rëndësi. Kur ka ndodhur kjo ndonjëherë? Apo kur Shqipëria iu ofruar me një euro investitorëve. Vetëm një euro” tha Rama.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Rama solli në vëmendje imazhe të situatës aktuale në portin e Durrësit, i cili sipas tij, ndodhet si në Mesjetë.
“Të jemi të qartë se për çfarë do flasim sot. Flasim për një port si në Mesjetë ku tregtohet krom në zemër të qytetit, lulëzojnë sipërfaqe me ndryshk dhe kalben mjete lundruese të vjetra. Janë mijëra metra katrorë ferra. Kur ju dëgjon ju dhe shikon këto pamje e kupton pse jeni të shqetësuar, sepse ju jeni fiks si këto pamje”, tha Rama duke iu drejtuar deputetëve të opozitës në Kuvend.
Kryeministri theksoi se ky port është skandal mjedisor, një plagë urbane nga e cila rrjedh pisllëk prej dekadash mu në qendër të gravitetit të polit më të madh turistik të Shqipërisë, të Durrësit.
“Kjo zonë e mbetur kancerogjene është si zona e deridjeshme e atij malit me plehra dhe derra të zhdukur në Porto Romano. Nësoj si ai mal plehrash edhe kjo platformë e zezë që nuk ka asnjë lidhje me turizmin dhe vizionin e Shqipërisë 2030, duhet dhe do të zhduket nga faqja e dheut përgjithmonë”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se “nga zhdukja malit të plehrave në Porto Romano, sot Durrësi ka fituar një ekopark fantastik”.
“Po nga zhdukja e kësaj platforme të zezë ndotjeje dhe ndryshku çfarë duhet të fitojë Durrësi? Personalisht jo vetëm si kryeministër por edhe si deputet po numëroj orët derisa të votohet marrëveshja për investimin më të madh të huaj në historinë e vendit tonë. Ky investim e kthen portin e vjetër nga një platformë e zezë si surrati i atyre që e përndjekin Shqipërinë nga viti 1912 në një prej porteve më të mëdha të Mesdheut”, tha Rama.